Dhunuan gazetarët, 3 autorët në kërkim! Fiks Fare po filmonte gërryerjet e paligjshme të lumit Zezë në Fushë Krujë

09/02/2023 00:00

Sulmi me armë ndaj gazetarëve të Fiks Fare teksa po filmonin gërryerjen e basenit të lumit Zezë dhe po merrnin inerte në kundërshtim me ligjin është dënuar nga shoqatat e gazetareve por edhe autoritetet më të larta në vend.

Menjëherë pas ngjarjes policia e Durrësit shpalli në kërkim 3 persona si dhe u proceduan penalisht 2 drejtues të kamioni. Po ashtu nisën hetimet dhe për dy punonjës të IKMT-së, pasi duke qenë përgjegjës për monitorimin e kësaj zone, dyshohet se kanë konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Presidenti i republikës  Bajram Begaj inkurajoi organet ligjzbatuese ta ndjekin me përgjegjshmëri të lartë këtë rast.

Shpreh indinjatën mbi këtë akt të rëndë të dhunimit të punonjësve të medias, si dhe mbështes emisionin “Fiks Fare” në misionin, guximin dhe profesionalizmin që ka treguar në denoncimin publik të fenomeneve korruptive dhe dukurive që shqetësojnë shoqërinë shqiptare.

Inkurajoj organet ligjzbatuese ta ndjekin me përgjegjshmëri të lartë këtë rast flagrant të dhunimit të fjalës së lirë. Kërcënimi i jetës së gazetarëve në ushtrimin e detyrës nuk duhet të tolerohet në një shoqëri demokratike!

Autoriteti i Mediave Audiovizive, dënoi ashpër ushtrimin e dhunës verbale dhe fizike që shkoi deri dhe përdorimin e armës së zjarrit për frikësimin e reporteres dhe kameramanit të Fiks Fare. Sipas saj këto janë akte të papranueshme dhe goditëse për lirinë e fjalës.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt dënoi ashpër ushtrimin e dhunës fizike që përfshinte përdorimin e armës së zjarrit për kërcënim si të papranueshme dhe një shkelje serioze të sigurisë së gazetarëve dhe punonjësve të medias. Ata kërkuan një hetim të shpejtë, vënien e autorëve para drejtësisë dhe garantimin e sigurisë së gazetarëve gjatë raportimit nga terreni.

Rrjeti SafeJournalists paralajmëroi se  do të informojë të gjitha palët relevante kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast.

Ndërsa Unioni i Gazetarëve shqiptarë e quajti ngjarjen tronditëse situatën. Sipas tyre  është alarmant fakti që strukturat vendore policore, të cilat kanë qenë gati krejt inekzistente për të ndërhyrë në kohë, teksa reporteres dhe operatorit iu rrezikohej jeta nga personat e armatosur dhe të maskuar, të shfaqur si bandë përballë tyre.

Imazhet e publikuara prej emisionit, janë një dëshmi autentike se sa i kërcënuar është gazetari në terren, se sa i pasigurt është mjedisi në të cilin gazetarët ushtrojnë profesionin e tyre dhe raportimin ndaj krimit.

Top Channel