Përplasi për vdekje të moshuarën nën efektin e lëndëve narkotike, arrestohet 23-vjeçari në Tiranë

08/02/2023 12:17

Një 75 vjeçare ka humbur jetën pasi është përplasur  nga një automjet në bulevardin Zhan Dark.

Policia arrestoi në flagrancë drejtuesin e mjetit 23 vjeçarin Marjol Aliko.

Pas verifikimit të kushteve të aksidentit dhe testimit me Aquilascan  rezultoi se 23 vjeçari drejtonte mjetin nën efektin e lëndëve narkotike. Ai u vu në pranga me akuzën “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

Përdorimi i lëndëve narkotike  në drejtimin e mjetit po kthehet në fenomen sidomos në kryeqytet. Vetëm gjatë vitit të kaluar nga kontrollet periodike të policisë me aparaturën Aquilascan, policia e Tiranës ka arrestuar 68 persona që janë kapur të droguar në timon.

I lartë vijon të jetë dhe numri i personave të kapur nen efektin e alkoolit. Gjatë vitit të kaluar janë proceduar 594 persona për “drejtim mjeti në gjendje të dehur” dhe 534 persona për “drejtim mjeti pa lejedrejtimi”.

Top Channel