Ekipi i Top Channel ka mbërritur këtë të mërkurë në Turqi, ku pas uljes në aeroportin Stambollit do të niset në zonat e prekura nga tërmeti tragjik i 6 shkurtit.

Gazetari Artur Bibe, me ndihmën e operatorëve Angjelo Baraj dhe Ilia Poci do të nisen drejt zonave ku do të raportojnë gjithçka nga situata katastrofike në juglindje të Turqisë.

Pavarësisht emergjencës, në aeroportin e Stambollit ka kontrolle të rrepta. Kontrollohet çdo gjë. Pas mbërritjes në Stamboll, do nisemi drejt zonave të tërmetit”, thotë gazetari Artur Bibe.

“Po përgatitemi të nisemi drejt Malatias, me gjasa do të shkojmë në kufi me Sirinë. Shikoj njerëz të trembur, i kanë ngulur sytë mbi TV dhe shikojnë e agoni, situata është normale nën kontroll me përjashtim të motit, pasi ka reshje të mëdha dëbore. Gjithë territori i Turqisë është mbuluar nga dëbora dhe temperaturat janë nën 0. Patëm një tranzit përmes Athinës, ishte e vështirë të nisej avioni për shkak të temperaturave nën 0, u vonuam edhe aty sepse u jepej prioritet avionëve që jepnin ndihmë për zonat e prekura, e njëjta situatë është edhe në Ankara. Situata është kaotike, por jo e frikshme”, tha Bibe.

 Kushtet atmosferike janë të vështira, aq sa avioni është shtyrë me dy orë për shkak se i ishin ngrirë krahët.

Turqia po përballet me një prej katastrofave më të mëdha natyrore të ndodhura ndonjëherë.  Mbi 11 mijë persona është bilanci i viktimave në Turqi dhe Siri, pas tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit.

Numri i viktimave pritet të rritet, teksa ekipet e shpëtimit janë në garë me kohën për të gjetur të mbijetuar të tjerë nën rrënoja. Tërmeti i parë i 6 shkurtit ishte 7.8 ballësh me epiqendër rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep. Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit.

Por, përpjekjet e shpëtimit janë penguar nga temperaturat e ulëta dhe qindra pasgoditje, të cilat e kanë bërë veçanërisht të rrezikshme punën në strukturat e paqëndrueshme. Në qytetin sirian të Xhindajrisit, një foshnje e sapolindur u nxor nga rrënojat.

Disa prej dëmeve më të mëdha janë regjistruar në provincën turke të Gaziantepit, ku qindra ndërtesa janë shembur dhe janë bllokuar rrugët, duke penguar përpjekjet e shpëtimit. Personat që i kanë mbijetuar tërmetit, shumica prej të cilëve nuk kanë këpucë e as rroba të ngrohta, po përballen me mbijetesë në temperatura të ulëta.

Në Siri, operacionet e shpëtimit janë ndërlikuar për shkak se sistemi i kujdesit shëndetësor dhe infrastruktura është shkatërruar nga lufta civile që po zgjat prej 12 vitesh. Dhjetëra shtete në mbarë botën kanë ofruar ndihmë emergjente humanitare, përfshirë dërgimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit dhe furnizime të tjera të ndihmës.

Top Channel