Mbi 7 mijë viktima në Turqi e Siri nga tërmeti tragjik/ Tre muaj gjendje e jashtëzakonshme, ekipet e shpëtimit në garë me kohën

07/02/2023 18:30

Reshjet e dendura të shiut e borës po pengojnë përpjekjet e ekipeve të shpëtimit, të vëna në garë me kohë për gjetjen e të mbijetuarve pas tërmetit shkatërrimtar që goditi orët e para të së hënës Turqinë juglindore dhe Sirinë fqinje.

Mbi 7 mijë të vdekur e 18,000 të plagosur është deri tani bilanci i fatkeqësisë. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet në mënyrë dramatike pasi ekipet e shpëtimit po vazhdojnë të gjejnë trupa të pajetë nën rrënoja. Në provincën jugore të Hatay-t, zëri i një gruaje është dëgjuar të thërrasë për ndihmë nën një pirg gërmadhash, por nuk është nxjerrë dot. Pamjet tronditëse të përcjella nga AFP, që tregojnë momentet e nxjerrjes së trupave të pajetë të dy vëllezërve të përqafuar, u kthyen në dëshminë më të dhimbshme deri tani të tragjedisë që ka pllakosur Turqinë. Nuk mungojnë megjithatë as lajmet e shpresës, siç ishte ai i shpëtimit të një gruaje dhe tre fëmijëve të saj pas 28 orësh të kaluara nën gërmadha.

Mjaft njerëz në zonën e fatkeqësisë kanë ende shumë frikë që të kthehen në shtëpitë e tyre. Tërmeti me magnitudë 7.8 goditi në orën 04:17 të mëngjesit të hënën në një thellësi prej 17.9 km pranë qytetit turk të Gaziantep, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA. Sizmologët thonë se ishte një nga më të mëdhenjtë e regjistruar ndonjëherë në Turqi, ku gati 7000  janë të vdekurit deri tani. Të mbijetuarit thonë se lëkundjet e dhunshme të tokës zgjatën për dy minuta. Një tërmet tjetër me një magnitudë 7.5 ra disa orë më vonë, me epiqendër Elbistanin në provincën Kahramanmaras.

Pak ekipe shpëtimi kanë mbërritur në këtë zonë të Turqisë jugore për të vlerësuar dëmet e për të ofruar ndihmë jetike. Pothuajse 8,000 njerëz janë shpëtuar nga më shumë se 4,700 ndërtesa të rrafshuara me tokën sipas Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë. Teksa pas lëkundjet kanë vazhduar gjatë gjithë natës, punonjësit e shpëtimit në disa zona kanë gërmuar edhe me duar nëpër gërmadha, por ngricat po i pengojnë përpjekjet e tyre. Gati 1.500 janë të vdekurit në Siri, ku miliona refugjatë jetojnë në kampe të ngritura pranë kufirit me Turqinë. Mijëra vetë kanë mbetur të pastrehë në një kohë kur temperaturat kanë rënë nën zero. Lëkundjet e tokës janë ndjerë deri në Liban dhe në Qipro e madje ato janë kapur edhe nga aparaturat matëse në Groenlandë.

18:03 “Po na lënë të vdesim”/ Banorët e Turqisë të dëshpëruar dhe zhgënjyer, gërmojnë rrënojat me duar

Tërmeti shkatërrimtar në Turqi tronditi banorët të cilët janë të zemëruar për mënyrën se si po menaxhohet situata. Banorët e Antakias nuk janë vetëm të dëshpëruar, për vuajtjet që përjetojnë por edhe për mënyrën se si po vijon gjendja e jashtëzakonshme. Ata ndihen të braktisur dhe të zhgënjyer nga qeveria e tyre.

17:19 “Bërtisja por nuk më dëgjonte njeri”, të shpëtuarit tregojnë tmerrin nën rrënoja

I mbijetuari i tërmetit tregoi se hapësira midis dollapit të tij dhe shtratit e ndihmoi atë t’i mbijetonte dridhjeve të tmerrshme. Pikërisht kur ndjeu dridhjen, u hodh nga shtrati dhe u ul pranë garderobës. Ai u shpëtoi lëkundjeve pasi ndërtesa e banimit që jetonte me gruan e tij u shemb në distriktin qendror të Hatay, Antakya.

17:14 Tërmeti shkatërrues në Turqi/ Pas 33 orësh nën rrënojat e ndërtesës, shpëton mrekullisht 4-vjeçari

Një djalë 4-vjeçar u gjet 33 orë pas tërmetit tragjik në Turqi, nën rrënojat e një ndërtese të shkatërruar në Hatay. I mituri u shpëtua nga ekipet, të cilat ndodheshin në atë rajon. Ata dëgjuan tinguj nën ndërtesën e shkatërruar tre katëshe në Antakya, e më pas bënë të mundur nxjerrjen.

17:10 “Turqia lëngon”/ Babai mban dorën e vajzës së vdekur në rrënoja, ndodhet ende në krevatin e saj

Një baba i dëshpëruar që mban dorën e vajzës së tij të vdekur nga tërmeti në Turqi ka thyer zemrat e të gjithëve. I ulur dhe i kërrusur në rrënoja, Mesut Hancer mban në dorë 15-vjeçaren Irmak ndërsa ajo shtrihet në shtratin e saj nën pllakat e betonit, dritaret e thyera dhe tullat e thyera që dikur ishin apartamente. Epiqendra e tërmetit të parë ishte Kahramanmaraş, i cili shtrihet në Turqinë juglindore.

16:46 32 orë pritje, vëllezërit ia dalin të shpëtojnë nga rrënojat e tërmetit në Turqi

Një djalë 8-vjeçar doli nga rrënojat e një pallati në provincën Kahramanmaraş, epiqendra e tërmetit me magnitudë 7.7 që mori mijëra jetë në Turqi që nga e hëna, vetëm dy orë pasi shpëtimtarët shpëtuan vëllain e tij të vogël nga e njëjta grumbull mbeturinash.

15:40 Të bllokuarit nën rrënoja vijojnë të vdesin nga i ftohti në katastrofën e tërmetit në Turqi, Siri (fotot)

Një baba i shtangur nga dhimbja shihej sot që mbante dorën e bijës së tij të vdekur të zënë nënë rrënojat e një ndërtese të shembur në Turqi, vendi që bashkë me Sirinë u shokuan nga tërmeti katastrofik me mijëra të vdekur i së hënës.

14:20 UNICEF: Mijëra fëmijë mund të jenë vrarë nga tërmetet në Turqi dhe Siri

Agjencia për fëmijë e Kombeve të Bashkuara (UNICEF) tha se tërmetet dhe goditjet pasuese, që shkatërruan mijëra ndërtesa në Turqi dhe Siri, mund të kenë vrarë mijëra fëmijë.

14:05 Turqia, tre muaj gjendje e jashtëzakonshme! Gërmohet me duar për të mbijetuar

Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për tre muaj në 10 zonat e vendit të prekura nga tërmeti shkatërrimtar i së hënës. Turqia dhe Siria fqinjë po përpiqen të marrin veten pas dy tërmeteve të njëpasnjëshme vdekjeprurëse, të përshkuara si më të fuqishmet në rajon prej një shekulli.

14:02 FOTOLAJM/ Shkatërrim dhe shpresë! Kontrasti në Turqi pas tërmetit, fëmija i ulur në karrocë buzëqesh para kamerës

Grimca të vogla pozitiviteti tregohen përmes një fotoje nga Hatay në Turqi, ndërsa vendi po përballet me një prej katastrofave më të mëdha. Dy fëmijë të ulur në një karrocë blerjesh ndodhen pranë një pallati të shembur pas një tërmetit. Njëri prej fëmijëve ka buzëqeshur para kamerës me të cilën është realizuar fotoja.

13:06 Spanja do të krijojë një spital fushor në zonën e tërmetit

Qeveria spanjolle njoftoi se do të krijojë një spital fushor në rajon për të ndihmuar viktimat e tërmeteve në Kahramanmaraş dhe një ekip profesional prej 70 personash. Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Spanjës, raportohet se një ekip profesional prej 70 personash do të dërgohet në Turqi për ngritjen e një spitali fushor .

12:15 Ndodh mrekullia! Foshnja 15 muajshe nxirret nga rrënojat 31 orë pas tërmetit, ekipi dëgjoi të qarat

Një foshnjë 15 muajshe është nxjerrë nga rrënojat e një ndërtese në lagjen Menderes, e cila u shkatërrua pas tërmeteve në Kahramanmaraş. Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 me epiqendër në rrethet Pazarcık dhe Elbistan të Kahramanmaraş shkaktuan shkatërrime masive të ndërtesave.

10:49 Tërmetet shkatërruese në Turqi/ Mbërrin skuadra e shpëtimit nga Shqipëria, për pak nisin punën në terren 

Ka mbërritur në Turqi ekipi i shpëtimit dhe i ndihmës shëndetësore nga Shqipëria, të cilët do të ndihmojnë në kërkimin e trupave nën rrënoja dhe t’i ofrojnë atyre ndihmë të shpejtë.

Kryeministri Rama kishte lajmëruar që ditën e djeshme se një ekip shpëtimi do të niset drejt Turqisë për ti ardhur në ndihmë, ashtu siç edhe Turqia u gjend pranë Shqipërisë para katër vitesh kur vendi ynë u gjend në të njëjtën situatë.

10:38 Turqi: Katër të arrestuar për shkak të postimeve “provokuese” për tërmetet 

Policia turke tha të martën se ka arrestuar katër persona lidhur me postimet “provokuese” në rrjetet sociale, pas tërmetit të fuqishëm prje 7.8 ballësh që goditi juglindjen e Turqisë.

Tërmeti goditi Turqinë dhe Sirinë në orët e para të mëngjesit të së hënës duke vrarë mbi 5.000 persona në këto dy shtete dhe duke plagosur mijëra të tjerë. Katër persona u arrestuan pasi zyrtarët policorë zbuluan llogari në rrjetet sociale që kishin shpërndarë “postime provokuese që kishin qëllim të nxisnin frikë dhe panik”, tha policia.

10:29 Pse Turqia është kaq e rrezikuar nga tërmetet?

Ka disa arsye pse toka në Turqi dhe Siri po dridhet vazhdimisht, sipas sizmologëve. Ja disa nga shpjegimet e ekspertëve… Mbi 4.400 njerëz vdiqën në Turqi (gjendja e 07.02, 10:00) dhe Siri dhe shumë të tjerë u plagosën nga tërmetet e forta që goditën rajonin, thuhet në raportet e ditës së parë pas tërmetit. Numri i viktimave është vazhdimisht në rritje. Ekipet e shpëtimit po punojnë me të gjitha forcat për nxjerrjen e njerëzve nga rrënojat dhe njëkohësisht duhet të luftojnë kundër kushteve të pafavorshme atmosferike. Temperaturat në zonat e prekura aktualisht janë shpesh në minus, ndërsa në disa vende ka rënë edhe borë e madhe.

Lëkundjet më të forta kanë goditur Turqinë gjatë natës, pasi mijëra njerëz u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në dy tërmete të fuqishme. Një tërmet me magnitudë 5.4 goditi anën lindore të vendit në orën 7:10 të mëngjesit mëngjesin e sotëm, sipas Studimit Gjeologjik të SHBA. Vetëm gjysmë ore më parë u regjistrua një pasgoditje me magnitudë 4.5 ballë.

09:29 Kryeministri i Pakistanit drejt Turqisë për të ofruar mbështetje

Kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif do të udhëtojë në Ankara të mërkurën për të ofruar mbështetjen e tij pas tërmetit shkatërrues. Në një deklaratë të martën, Ministri i Informacionit Marriyum Aurangzeb tha se Sharif do të shprehte ngushëllime dhe solidaritet me Presidentin [Recep Tayyip] Erdogan dhe popullin e Turqisë për humbjen e jetëve të çmuara dhe shkatërrimin e shkaktuar nga tërmeti vdekjeprurës i djeshëm.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA