Një 41-vjeçar i identifikuar si Luan Zabata ra në pranga nga policia në Lezhë, pasi gjatë ndalimit nga efektivët për një kontroll, për të shmangur arrestimin e tij u ka nxjerrë pistoletën efektivëve.

Policia ka ndaluar gjatë një kontrolli në Shëngjin, 41-vjeçarin banues në Shkodër, për të cilin ka kërkuar që t’i kryhet testi i alkoolit për shkak të sjelljeve të tij të çuditshme. Në atë moment, ai ka kundërshtuar kryerjen e veprimeve procedurale duke nxjerrë një armë zjarri që mbante me vete dhe ua ka drejtuar punonjësve të Policisë, me qëllim që të largohej dhe të shmangte arrestimin.  Pas testit të alkoolit, 41-vjeçari rezultoi në gjendje të dehur, në masën 1.395 mg/l.

“Lezhë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Neutralizimi”; Iu drejtoi pistoletën punonjësve të Policisë, që të shmangte arrestimin, pasi e ndaluan për kontroll, teksa lëvizte me automjet, neutralizohet dhe vihet në pranga 41-vjeçari.

Sekuestrohet pistoleta me fishekë në fole, e gatshme për qitje. Pas testit të alkoolit, 41-vjeçari rezultoi në gjendje të dehur, në masën 1.395 mg/l.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në kuadër të kontrolleve të shtuara gjatë natës, në të gjitha akset e qarkut, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, të mbështetura dhe nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Neutralizimi”.

Në kuadër të këtij operacioni, në Shëngjin, në mesnatë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll, automjetin që drejtohej nga shtetasi L. Z., i cili ka krijuar dyshime tek punonjësit e Policisë, nga përgjigjet dhe sjellja e tij. Për këtë shkak, është informuar se do t’i kryheshin kontrolle fizike dhe kontrolle në automjet, si dhe testi i alkoolit. Në atë moment, ky shtetas ka kundërshtuar kryerjen e veprimeve procedurale duke nxjerrë një armë zjarri që mbante me vete dhe ua ka drejtuar punonjësve të Policisë, me qëllim që të largohej dhe të shmangte arrestimin.

Ndërhyrja e menjëhershme dhe profesionale e shërbimeve të Policisë, ka bërë të mundur neutralizimin e menjëhershëm të shtetasit L. Z., i cili pas kryerjes së testit të alkoolit, ka rezultuar në gjendje të dehur, në masën 1.395 mg/l. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë me fishekë në fole, e gatshme për qitje, që mbahej pa leje nga ky shtetas.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin Luan Zabata, 41 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme”- njofton policia.

Top Channel