Tirana fiton me Egnatian/ Partizani luan me Laçin, kërkon fitore për të qëndruar pranë kreut

06/02/2023 20:02

Java e 20-të e Superiores nis me ndeshjen Egnatia-Tirana. Bradheblutë nuk e prishin ‘traditën’ dhe fitojnë 1-2 në fushën e Egnatias, në një sfidë jo dhe aq të lehtë për kryeqytetasit në çastet e fundit, por që gjithsesi marrin pikët e çmuara.

Kjo edhe falë Florjan Përgjonit, i cili u bë ‘heroi’ i bardhebluve me një gol të shënuar në fillim të ndeshjes, por edhe për rolin e pazakontë të portierit në fund, teksa zëvendësoi Bekajn e dëmtuar, duke mbrojtur kuadratin e ekipit të Tiranës.

Në minutën e parë të ndeshjes një top nga e djathta shfrytëzohet më së miri nga Përgjoni, që shënon një gol të bukur e duke shtangur Egnatian. Ndërkohë që nuk vonon edhe përgjigja e formacionit rrogozhinas. Duamena shënon në  minutën e 12-të, që nga brenda zonës me kthesë bën më të mirën në krosimin e Fangaj duke ndëshkuar Bekajn dhe 1-1.

Nga pika e bardhë e penalltisë Florent Hasani në minutën e 67 nuk gabon dhe çon topin në rrjetë duke lënë në tokë Sherrin për të risjellë avantazhin.

Goli i nëntë sezonal për Hasanin, gjithnjë e më Lider te bardheblutë, i gatshëm për të marrë trashëgiminë e Xhixhës dhe për të sulmuar kreun e klasifikimit të golashënuesve që udhëhiqet nga shoku i tij i skuadrës dhe Skuka, tanimë të larguar.

Egnatia gjithsesi nuk dorëzohet me Bekajn, që impenjohet seriozisht në disa momente, deri sa bëhet protagonist i minutave të ankthit në finale, kur mbetet i rrëzuar në tokë pas një përplasjeje të fortë në kokë. Portieri bardheblu e ka të pamundur të vazhdojë dhe interesant është fakti, që për 13 minutat e shtesës është Përgjoni ai që vesh dorezat e portierit, duke qenë se trajneri Shehi i kishte bërë zëvendësimet.

Dhe në rolin e ri, Përgjoni nuk ka të sharë, pasi në të 98-tën bën një pritje të mrekullueshme. Me këtë fitore Tirana siguron kryesimin ndërsa Egnatia mbetet në kuotën 27 pikëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA