Gjatë një konference për shtyp të premten në Stamboll pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka premtuar mbështetje për Kosovën në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Ai tha se Turqia është e gatshme të ofrojë mbështetjen e saj në dialog, nëse i kërkohet.

“Turqia është një nga vendet e para që e ka njohur Pavarësinë e Kosovës. Atë kohë, kam qenë duke drejtuar mbledhjen e kabinetit dhe ma komunikuan që SHBA-ja e kishte njohur si vendi i parë, dhe thashë se ne do të jemi vendi i dytë që e njohim Kosovën. Qoftë e hajrit. Është domethënëse kjo. Tani janë 117 shtete që e njohin. Ne do të bëjmë punë intensive që të arrijmë shifrën që është si objektiv sa i përket njohjeve. Dua t’iu uroj 15-vjetorin e Pavarësisë që tani. Ne po vazhdojmë përpjekjet për të siguruar që Kosova të arrijë pozicionin e merituar në arenën ndërkombëtare. Mbështesim Kosovën në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, BE dhe NATO” , ka thënë Erdogan, transmeton Telegrafi.

Ai gjithashtu ka thënë se e mbështet dialogun Kosovë-Serbi dhe se pret që palët të tregojnë një qasje konstruktive.

“Ne mbështesim dialogun dhe presim që palët të demonstrojnë qasje paqësore e konstruktive. Shpresojë që dialogu të përmbyllet duke siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon. Turqia është gati të ofrojë ndihmë për paqen në rajonin tonë nëse i kërkohet nga palët . Do të marrim hapa për të fortifikuar marrëdhëniet tona me vëllezërit kosovarë”, ka shtuar Erdogan.

Presidenti turk vlerësoi marrëveshjen e tregut të lirë mes dy vende, që sipas tij, Turqia është bërë vendi që eksporton më shumë në Kosovë.

“Mbi 610 milionë euro në vit eksportojmë në Kosovë. Duhet ta rrisim nivelin e vëllimit në 1 miliard”, ka thënë ai, duke përmendur investimet turke e ndihma zhvillimore të Turqisë për Kosovën. Ka premtuar se do të vazhdohet me projekte të çmuara.

Presidenti turk ka shprehur keqardhjen e tij për përmbytjet që ndodhën nëpër disa komuna të Kosovës si pasojë e të reshurave të mëdha të shiut.

Erdogan ka thënë se Turqia qëndron pranë vëllezërve kosovarë.

“Shpreh keqardhjen time për fatkeqësinë e përmbytjeve dy javë më parë në Kosovë. Duam të jemi përkrah vëllezërve kosovarë si gjithmonë. Jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetjen e nevojshme për të lehtësuar pasojat nga fatkeqësitë e përmbytjeve”, tha ai.

Top Channel