Studentët ekselentë dhe ata në nevojë nuk i kanë marrë ende bursat.

“Dimri i gjatë i studentëve” është quajtur raporti i monitorimit, realizuar nga Qëndresa Qytetare, që evidenton, se në të paktën 3 vitet e fundit studentët e ekselencës dhe ata në nevojë ekonomike, që përfitojnë bursë në masën e 100 mijë lekëve të vjetra në muaj, e kanë marrë këtë bursë me 4-5 muaj vonesë.

Mateo Yskollari, student: Po flas nga rasti im konkret. Unë vij nga një familje me të ardhura mesatare. Fatmirësisht kam një motër, por fatkeqësisht për familjen time e kam binjake. Duhet t’i ndjekim të dy në të njëjtën kohë studimet e larta.

Ritvana Hajdari, studente: Janë bërë pothuajse 5 muaj dhe ne nuk po i marrim bursat. Nuk e dimë arsyen që po vonohen, ndërkohë që ne kemi nevojë më shumë se kurrë. Në vend që të pretendonim rritjen e masës së bursës, për shkak të rritjes së çmimeve, ne nuk po i marrim fare. Nuk kemi pse pyesim pse po ikin të rinjtë.

Migen Qiraxhi, Qëndresa Qytetare: Administratat e universiteteve të cilat ne i kemi parë që janë këmbëshpejta, kur bëjnë tendera makinash, karburantesh, etj. Këta këmbëshpejtë duket sikur janë obezë e mezi lëvizin, kur vjen puna tek shpërndarja e bursave që i përfitojnë rreth 40 mijë student nga niveli bachelor deri në master.

Ina Zhupa, Deputete, Përfaqësuese e PD-së: Ndërkohë që duhet të ketë penalitete jo vetëm për institucionet, por edhe për punonjësit direkt që të ndërgjegjësohen, për t’i reflektuar menjëherë kërkesat ligjore, për mbështetjen financiare të studentëve meritorë dhe socialë.

Gevio Tabaku, Qëndresa Qytetare: Ne realizuam një anketim dhe i pyetëm studentët, nëse i kanë marrë bursat dhe 98% e tyre u përgjigjën se nuk i kanë marrë ende. Edhe vitin e shkuar studentët i morën bursat në muajin shkurt. Siç e merr rrogën ministrja, rektori, pedagogët, administratori etj, që i marrin në datë fikse, ashtu do të donim edhe ne studentët që t’i merrnim në kohë bursat tona.

Top Channel