Sot “Holokausti”/ Bota kujton 6 milionë hebrenj të vrarë, e viktimat e tjera të Nazismit

27/01/2023 08:30

Në 27 janar, në ditën e çlirimit të kampit famëkeq të përqendrimit të Auschëitz-Birkenau në 1945-tën, bota kujton 6 milionë viktimat hebreje të holokaustit dhe miliona viktima të tjera të nazistëve gjermanë.

Kur hynë në kampin e shfarosjes atë fund janari të shumë dekadave më parë, forcat e armatosura sovjetike të Ushtrisë së Kuqe gjetën pak të mbijetuar, por shumë kufoma, zbuluan rrënojat e dhomave të gazit dhe hirin e të vrarëve.

Pamjet makabre të asaj çfarë ndodhte brenda atij rrethimi, vetëm tani po i zbuloheshin botës me të gjithë dramën e 1.1 milionë jetëve të shuara atje larg syve të saj. 90% e tyre ishin hebrenj, e Auzhvici vetë, ishte vetëm një ndër kampet e shumta të përndjekjes dhe vrasjeve masive në Europë nga Gjermania nacionalsocialiste.

Deri në fund të Luftës së Dytë Botërore në Maj 1945 vdiqën mbi gjashtë milion hebrej, qindra mijëra sinti dhe romë, njerëz me aftësi të kufizuara, kundërshtarë politikë, njerëz, që përndiqeshin si homoseksualë, si kriminelë, dëshmitarë të Jehovait dhe shumë njerëz të tjerë, kundër të cilëve drejtohej terrori nacionalsocialist.

Në ditën e parë përkujtimore mbarëbotërore të Holokaustit, të mbajtur në 27 Janar 2006 Sekretari i Përgjithshëm asokohe i OKB-së, Kofi Annan, theksoi se Holokausti nuk duhet harruar, sepse përkujtimi është një garanci për të ardhmen. Garancia se një gjë e tillë, nuk duhet të ndodhë.  ” Humnera që u arrit në kampet naziste të vrasjes, nisi me urrejtjen, paragjykimet dhe antisemitizmin. Përkujtimi i këtyre zanafillave mund të na ndërgjegjësojë që vazhdimisht t’i kemi parasysh këto shenja paralajmëruese,” tha ai.

Në Izrael nuk është 27 Janari dita qendrore përkujtimore, por Yom HaShoa, që shumicën e rasteve është në prill. Dy minuta në mbarë vendin gjëmojnë sirenat: autobusët, makinat e gjithçka ndalon. Njerëzit heshtin, përkujtojnë viktimat. Koncepti që përdoret zakonisht në nivel ndërkombëtar Holokaust vjen nga greqishtja dhe do të thotë “tërësisht i djegur”. Në Izrael bëhet fjalë për Shoa, që nënkupton “katastrofën”.

FOTO GALERI
1/12

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA