Lëkundjet e tërmetit të një jave më parë, sollën në kujtesë përjetimet e nëntorit të 2019. Frika e një lëkundje më të madhe bëri që disa qytetarë të dilnin atë natë nga banesat dhe të qëndronin jashtë.

“Kishte frikë, panik, megjithatë mendoj se sot e kemi pothuajse të shuar këtë gjë, uroj mos të kemi më, por si episode mendoj se e kemi të shuar”, shprehet Gejsi Ndoja.

Ai është një moment që sjell pasiguri dhe sjell më pas shfaqje të ankthit si tek të rriturit ashtu dhe fëmijët.

“Është e vështirë për të shfaqur autokontroll në një situatë të tillë për vet faktin se kemi në familje të moshuar, fëmijë, të cilët ndoshta nuk dinë ta menaxhojnë situatën emocionale të tyre dhe e shfaqin me shumë”, thotë Ndoja.

Psikologët këshillojnë që edhe fëmijëve ti flitet dhe ti shpjegohet për tërmetin, në mënyrë që të mësojnë të menaxhojnë frikën.

“Mbi 5 vjeç mund të shpjegohet me revista, në forme loje, me elementë të ndryshëm që i përkasin  kësaj moshe. Mund të shpjegojmë çfarë është tërmeti, si ndodhin këto episode, nuk i parashikojmë dot, por duhet të jemi të përgatitur për këto episode, edhe fëmijët duhet ta dinë për të menaxhuar ankthin dhe frikën”, shprehet psikologia.

Shfaqja e ankthit pas përjetimeve të tilla është normale thonë psikologët. Biseda me të afërmit dhe miqtë është një mënyrë e mirë për ta kaluar, por nëse shihet se zgjat në kohë, ndihmojnë edhe seancat me psikologun.

Top Channel