Një raund tjetër stuhish është përplasur mbi Kaliforni, duke sjellë edhe më shumë shi e borë në shtetin e famshëm për klimën me diell, por që tashmë numëron gati 20 vdekje nga moti i keq.
“Stuhi nga ferri” i përshkruajnë mediat e huaja serinë e fenomeneve metereologjike ekstreme të cilat po e mundojnë Kaliforninë që prej fundit të muajit dhjetor, që kanë sjellë me vete erëra me fuqi uragani, që kanë shkulur pemët nga rrënjët e kanë rrëzuar linjat e tensionit të lartë, kanë përmbytur rrugë e kanë nxjerrë lumenj nga shtrati, ndërsa kanë lënë pas një vazhdë shkatërrimi që zgjatet për kilometra të tëra.
Komunitete te ndryshme janë detyruar të evakuohen, ndërsa mbyllja e rrugëve dhe ndërprerja e energjisë elektrike i ka izoluar disa rajone rurale thuajse krejtësisht nga pjesa tjetër e vendit. Nancy Ward, drejtuesja e shërbimit të emergjencave civile pranë zyrës së guvernatorit, e quajti këtë sistem stuhish “njerën prej katastrofave më të mëdha natyrore ne historinë e Kalifornisë”.
Edhe pse moti mund të përmirësohet këtë javë, shumë zona janë aktualisht në rrezik nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut. Vërshimet e njëpasnjëshme të ujit kanë gërryer tokën e kanë prekur pemët, duke bërë që dëmet e çdo stuhie pasuese të bëheshin akoma edhe më serioze për shkak të erozionit.
Gati 91 centimetra borë e re ra në zonën e Sierra Nevadas gjatë fundjavës. Që nga e hëna, tetë milionë njerëz mbeten nën paralajmërimin e rrezikut të përmbytjeve në brigjet qendrore të vendit ndërsa më shumë se 38,600 vetë janë pa energji elektrike.
Guvernatori Gavin Newsom u kërkoi kalifornianëve të mbeten vigjilentë dhe të ndjekin me kujdes situatën metereologjike gjate 48 orëve te ardhshme.
Top Channel