Mijëra grekë, shumë prej tyre në orët e para të mëngjesit i kanë dhënë lamtumirën e fundit ish-mbretit të Greqisë, Kostandinos Gliksburg që vdiq në 10 janar në moshën 82-vjeçare.
Radhë të gjata me simpatizantët e familjes mbretërore u krijuan jashtë kishës së vogël Agios Eleftherios pranë Katedrales së Mitropolisë së Athinës, ku ishte vendosur arkivoli i mbështjellë me flamurin grek.
“Trishtim i madh. Ishte një humbje e madhe. Ishte një familje e mrekullueshme, ata kurrë nuk shqetësonin askënd dhe ne jemi jashtëzakonisht të trishtuar pasi prisnim që tu bëheshin më shumë ndere”, shprehet një qytetar.
“Trishtim dhe emocion, sepse mendoj se ai meritonte diçka më të mirë, e gjithë procedura duhet të ishte më e mirë me nderimet e një kreu shteti”, thotë një tjetër.
Në listën e gati 200 të ftuarve të pjesëtarëve të familjeve mbretërore të Europës që kishin mbërritur në Athinë prej të dielës, nën fokusin edhe të dhjetëra mediave të huaja, ishin mbreti i Spanjës me gruan e tij, si dhe Mbretëresha Sofia, motra e mbretit të ndjerë me burrin e saj Juan Carlos dhe vajzat e tyre, Mbretëresha Margete e Danimarkës me të afërmit, Mbreti Carl Gustav dhe Mbretëresha Silvia e Suedisë, Mbreti Willem-Alexander i Holandës, Mbreti Philippe i Belgjikës dhe gruaja e tij Mbretëresha Mathilde.
Gjithashtu morën pjesë Princi Albert i Monakos, princi i Norvegjisë, princesha Ana e Britanisë, Duka i Madh i Luksemburgut, Henri, Katerina dhe Aleksandri i Serbisë.
Në procesionin e eksodit, të kryesuar nga Kryepeshkopi i Athinës dhe i gjithë Greqisë Jeronymos, kanë përfaqësuar qeverinë greke zv/kryeministri me ministren e Kulturës, por edhe shumë deputetë të spektrit të djathtë, midis tyre ish-kryeministri Antonis Samaras.
Ish-mbreti i Greqisë është varrosur privatisht në ish-pasurinë mbretërore të Tatoit në veri të Athinës, pranë babait të tij mbretit Pavlos dhe nënës së tij Mbretëresha Frederika,ndërsa gjatë gjithë këtyre ditëve kanë vazhduar debatet politike nëse duhej apo jo të varrosej me nderet e një udhëheqësi shteti, një ish-monark i dëbuar me referendum nga 70% e grekëve disa dekada më parë.
Top Channel