Mbeti i bllokuar midis shkëmbinjve në kanionet e Gramshit, pamjet gjatë operacionit të rrezikshëm për shpëtimin e 43-vjeçarit

15/01/2023 14:26

Policia ka publikuar pamjet gjatë operacionit të rrezikshëm për shpëtimin e 43-vjeçarit të bllokuar mes shkëmbinjve në kanionet e Gramshit.

Renea erdhi në ndihmë dhe shpëtoi 43-vjeçarin që kishte mbetur atje që prej mbrëmjes së djeshme.

Operacioni i evakuim-shpëtimit nga forcat speciale Renea u zhvillua në një terren shumë të vështirë, ndërsa Andrea Dervishi ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Ai mbeti i bllokuar  bllokuar në vendin e quajtur “Kalaja e Tërvolit,  ku kishte shkuar për të vizituar kanionet.

“Pas marrjes së njoftimit mbrëmjen e djeshme, u nisën në ndihmë të tij shërbimet e Policisë të Komisariatit Gramsh, shërbimet e forcës së posaçme “Shqiponja” të DVP Elbasan dhe shërbimet zjarrfikëse. Për shkak të errësirës dhe terrenit mjaft të vështirë, ndërhyrja në kanione mbrëmjen e djeshme ishte e pamundur. Shërbimet e Policisë kanë mbajtur kontakt të vazhdueshëm përgjatë natës, me 43-vjeçarin, dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, në drejtim të kanioneve, janë nisur forcat speciale Renea. Gjatë operacionit të evakuim-shpëtimit, pas disa orësh në një terren mjaft të vështirë, forcat speciale Renea bënë të mundur nxjerrjen e 43-vjeçarit, i cili është në gjendje të mirë shëndetësore. Shtetasi A. D. që kishte mbetur në kanione ka falënderuar forcat speciale Renea dhe të gjitha shërbimet e tjera që morën pjesë në operacionin e evakuimit dhe shpëtimit të tij”, thekson policia.

Top Channel