“Çmendet” tregu i zi/ Kina pa ilaçe Covid-i, kërkohen barna perëndimore

13/01/2023 20:18

Shumë shtetas kinezë po përpiqen të sigurojnë medikamente perëndimore në mesin e valës së Covid-it që ka pushtuar vendin, duke rritur kërkesën për trajtim, veçanërisht për popullatën e madhe të të moshuarve të pa vaksinuar si duhet.

Javët e fundit, një numër i madh kinezësh i janë kthyer në tregun e zi, ku shpresojnë të gjejnë trajtime për koronavirusin, duke filluar nga importet ilegale të Paxlovid të Pfizerit të prodhuar në Indi dhe molnupiravir të Merck duke i paguar në mjaft raste deri në tetë herë sa çmimi i tregut.

Zhgënjimi nga mungesa e ilaçeve u përkeqësua pas një njoftimi të qeverisë të dielën se nuk kishte arritur një marrëveshje me Pfizer për të përfshirë Paxlovid në planin e saj kombëtar të sigurimit, pasi çmimi i kërkuar nga kompanitë në fjalë, kishte qenë shumë i lartë.

Ky vendim mund të nënkuptojë që pas 31 marsit, ilaçi do të jetë i disponueshëm vetëm për ata që mund të përballojnë të paguajnë çmimin e plotë, me tarifat aktuale që raportohet se janë rreth 1,900 juanë (280 dollarë) për pako.

Paxlovid është treguar se zvogëlon rrezikun e vdekjes dhe shtrimit në spital në pacientët me rrezik të lartë kur përdoret menjëherë pas fillimit të simptomave.

Shkurtin e kaluar, ilaçi, i përdorur gjerësisht në vendet e zhvilluara, u bë pilula e parë orale posaçërisht për Covid që u autorizua në Kinë.

Rastet me koronavirus në këtë vend janë  900 milionë raportoi BBC duke cituar një studim të Universitetit të Pekinit. Sipas studimit, vlerësohet që nga sëmundja të jetë prekur rreth 64 për qind e popullsisë kineze.

Top Channel