Akuzë zyrtare! Tetsuya Yamagami në gjyq për vrasjen e ish-kryeministrit Shinzo Abe

13/01/2023 10:46

Prokurorët japonezë kanë ngritur zyrtarisht akuzën ndaj të dyshuarit për vrasjen e ish-kryeministrit Shinzo Abe teksa ai mbante një fjalim në Nara të Japonisë në korrik të vitit 2022.

Tetsuya Yamagami u arrestua menjëherë pasi qëlloi me armë Aben, dhe më pas u dërgua në një qendër ndalimi ku për gjashtë muaj iu nënshkrua vlerësimit për shëndetin mendor, proces që përfundoi të martën. Yamagami më pas u dërgua në paraburgim në Nara.

Prokurorët thanë se rezultatet e vlerësimit të shëndetit mendor treguan se ai është i aftë që të përballet me gjykimin.

Yamagami po ashtu akuzohet për shkelje të ligjit për kontrollin e armëve, tha Gjykata e Qarkut të Naras.

Policia ka deklaruar se tashmë Yamagami ka pranuar se ka vrarë ish-kryeministrin Shinzo Abe, që ishte një prej figurave më me ndikim në këtë shtet, për shkak të lidhjeve të tij me grupe fetare që ai urrente.

Në një deklaratë të postuar në rrjetet sociale, Yamagami kishte thënë se ishte inatosur me Aben për shkak se nëna e tij kishte bërë donacione masive për Kishën e Unifikuar, që sipas të dyshuarit, kishte rrënuar familjen e tij.

Hetimi për këtë rast ka zbuluar lidhjet e Partisë Demokratike Liberale të Shinzon Abes me kishën që nga koha kur gjyshi i tij, ish-kryeministri Nobusuke Kishi, kishte ndihmuar themelimin e kishës në Japoni në vitet ’60.

 

Top Channel