Emërohet prokurori i posaçëm për të hetuar trajtimin e dokumenteve të ndjeshme nga presidenti Biden

12/01/2023 20:37

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland njoftoi të enjten emërimin e një prokurori të posaçëm për të hetuar mbi mënyrën e trajtimit të dokumenteve të ndjeshme qeveritare nga Presidenti Joe Biden, një hetim që mund të hedhë hije mbi kandidimin e pritshëm të presidentit demokrat për një mandat të dytë në vitin 2024.

Kreu i Departamentit të Drejtësisë e bëri njoftimin disa orë pasi Shtëpia e Bardhë konfirmoi të enjten se ishte gjetur një numër të vogël dokumentesh të klasifikuara në shtëpinë e tij në Wilmington të shtetit Delaware.

Garland tha se Robert Hur, një ish-prokuror në shtetin e Merilendit, do të shërbejë si prokuror i posaçëm.

Prokurorët e posaçëm caktohen për të hetuar çështje të ndjeshme politike dhe kanë pavarësi të gjerë nga drejtuesit e Departamentit të Drejtësisë në punën e tyre. Në disa raste, por jo gjithmonë, prokurorët e posaçëm ndjekin akuza penale.

Në nëntor zoti Garland emëroi prokurorin e posaçëm Jack Smith, për të mbikëqyrur hetimet e Departamentit të Drejtësisë në lidhje me ish-presidentin republikan Donald Trump, përfshirë mënyrën se si i trajtoi dokumentet e klasifikuara dhe përpjekjet për të përmbysur zgjedhjet e 2020.

Shtëpia e Bardhë tha më herët të enjten se u gjetën dokumente të klasifikuara në garazhin e shtëpisë së Presidentit Biden në Wilmington të shtetit Delaware, pas atyre që ishin gjetur në nëntor në një zyrë ku zoti Biden kishte punuar pas mandatit si nënpresident.

Gjetja e dokumenteve ka ngjallur reagime të shumta megjithëse Biden ka thënë se ishte befasuar nga gjetja e tyre dhe se ekipi i tij kishte ndërmarrë veprimet e duhura në përgjigje të situatës.

Top Channel