Një autobus me emigrantë nga Kosova është sulmuar me gurë teksa kalonte në Serbi.

Autobusi ishte nisur nga Peja në drejtim të Dortmundit në Gjermani. Ngjarja ngjalli reagimin e menjëhershëm të Prishtinës zyrtare.

Zv/Ministrja e Jashtme Liza Gashi e akuzoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq se po nxit dhunën ndaj shqiptarëve.

“Një autobus i mbushur me mërgimtarë që udhëtonte nga Kosova për në Gjermani është sulmuar me gurë teksa kalonte nëpër Serbi. Fatmirësisht, askush nuk është lënduar. Megjithatë, ne jemi shumë të shqetësuar nga sulmi dhe dënojmë motivet pas këtij agresioni”, thuhet në reagimin e saj.

Zyrtarja e lartë shton se Kosova kundërshton çdo kërcënim me bazë etnike.

“Republika e Kosovës është kundër çdo kërcënimi me bazë etnike ndaj qytetarëve dhe mërgimtarëve të saj. Është e qartë se regjimi i Aleksandar Vuçiçit dhe nxitja e tij për agresion ndaj shqiptarëve të Kosovës është ende në funksion me pasoja potencialisht të mëdha”, vazhdon mesazhi.

Sulmi ndodhi mbrëmjen e së shtunës, por fatmirësisht në mesin e pasagjerëve të autobusit nuk pati të lënduar.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA