Viktima, Pjerin Xhuvani dhe autori Arbër Paplekaj

Pas një odiseje shtyrjesh të njëpasnjëshme, Gjykata e Elbasanit ka zhvilluar sot një seancë maratonë prej 4 orë e 30 minuta në ngarkim të Arbër Paplekajt,  i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në 21 Prill të vitit 2021 në Elbasan. 

Mirash Martini, avokati i Arbër Paplekajt kërkoi riekspertimin e vendit të ngjarjes pasi sipas tij nuk përputhet distanca e përcaktuar mes qitësit dhe viktimës. Sipas ekspertizës së prokurorisë kjo distancë është 14 metra ndërsa mbrojtja pretendon se edhe pamjet filmike vërtetojnë të kundërtën.

Kujtojmë se riekspertimi i vendit të ngjarjes u ribë nga Prokuroria e Elbasanit në Qershor të vitit 2021.

Ndërkohë gjykata pranoi të gjitha provat e prokurorisë, përfshirë aktin e ekspertimit, ç’ka do të thotë se kërkesa e mbrojtjes nuk u mor parasysh.

Në seancën e kësaj të hëne dhanë dëshmitë e tyre dy ish nëndrejtorët e policisë së Elbasanit dhe 6 efektivë të repartit shqiponja, të gjithë nën hetim për shpërdorim detyre në të njëjtën ngjarje.

Nga ana tjetër gjykata ka pranuar të thirren edhe dëshmitarët e kërkuar nga palët. Plot 59 dëshmitarë pritet të pyeten për ngjarjen e 21 Prillit 21 në Elbasan ku u vra mjeku, njëkohësisht aktivisti i PS Pjerin Xhuvani.

Për vrasjen e bujshme e ndodhur pak ditë para zgjedhjeve parlamentare u vetë-dorëzua Arbër Paplekaj, truprojë i drejtuesit politik të PD në Elbasan në atë kohë Gazmend Bardhi.

Top Channel