Gjiganti Amazon planifikon të shkurtojë më shumë se 18.000 vende pune, numri më i madh në historinë e firmës, që po lufton për të kursyer kostot.

Kompania e cila ka të punësuar 1.5 milionë njerëz në mbarë botën, nuk tha se cilat vende do të prekeshin më shumë nga shkurtimet e vendeve të punës, por disa prej tyre ishin në  Evropë.

Kreu i kompanisë Andy Jassy përmendi “ekonominë e pasigurt” për shkurtimet masive.

“Ne nuk i marrim lehtë këto vendime ose nuk i nënvlerësojmë se sa ato mund të ndikojnë në jetën e atyre që janë prekur,” tha ai në një njoftim për stafin.

Amazon ka parë shitje të ngadalta pasi biznesi lulëzoi gjatë pandemisë kur klientët e mërzitur në shtëpi shpenzonin shumë në internet.

Firma të tjera të mëdha të teknologjisë, duke përfshirë Meta – e cila zotëron Facebook, Instagram dhe WhatsApp , gjithashtu kanë njoftuar së fundmi shkurtime të mëdha.

Amazon ka njoftuar tashmë se po redukton projektet si Echo (i njohur më mirë si Alexa) dhe robotët e dorëzimit, të cilët ishin të këndshëm për t’u pasur, por në fakt nuk fitonin para.

Ekspertët vënë re se ka një tendencë në Silicon Valley që firmat të punësojnë dhe mbajnë punëtorë të talentuar me paga tërheqëse, edhe nëse nuk nevojiten menjëherë, kryesisht për t’i ndaluar ata të punojnë për rivalët. Por kjo kulturë tani duket si një luks që teknologjia e madhe nuk mund ta përballojë më.

Top Channel