Stoltenberg: NATO duhet të rrisë prodhimin e armëve në vitin 2023!

02/01/2023 13:18

Sasi gjigande municionesh po përdoren për shkak të konfliktit në Ukrainë, dhe vendet aleate duhet ta rrisin prodhimin e armëve në mënyrë që të mbajnë ritmin e furnizimit të luftës kundër Rusisë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e bëri të qartë se duhet vepruar, në kushtet kur nevoja e Kievit për material ushtarak, vazhdon të rritet.

“Kur vjen fjala tek artileria për shembull, na nevojitet një sasi e madhe municionesh dhe kemi nevojë për pjesë këmbimi. Rritja e prodhimit është e domosdoshme, dhe pikërisht këtë po bëjnë dhe aleatët”.

Për kreun e aleancës më të madhe ushtarake të globit, edhe mirëmbajtja e sistemeve të armëve të dorëzuara tashmë në Ukrainë është pothuajse po aq e rëndësishme sa debati për shtimin e furnizimit me armë. Duke nënkuptuar se fundi i luftës nuk duket të jetë i afërt, ai theksoi se  NATO-ja duhet jetë e përgatitur për ta mbeshtetur këtë vend në terma afatgjatë.

“Ajo që kemi parë është se Rusia nuk po jep shenja se do të heqë dorë nga synimi i përgjithshëm për të marrë Ukrainën nën kontroll. Forcat ukrainase paten epërsi momentin për disa muaj, por ne gjithashtu e dimë se Rusia ka mobilizuar edhe më tepër trupa, e shumë prej tyre tani janë duke u trajnuar sjellje kjo që tregon se është e gatshme ta vazhdojë luftën që nisi në 24 shkurt”.

Stoltenberg nuk e përjashtoi mundësinë që konflikti të përfundojë edhe në një tryezë bisedimesh, por sipas tij, i takon udhëheqjes në Kiev të vendosë se me çfarë kushtesh do të vendoste të hynte ne negociata.

Top Channel