Tradita e përvitshme e Top Channel për të zgjedhur personazhin e vitit vazhdoi  edhe për 2022, përmes sugjerimeve tuaja në një sondazh disa javor në faqen e internetit të top-channel.tv . 

Si propozimi më i shpeshtë nga ju, emigrantët po ashtu morën edhe numrin më të madh të votave… Në garë me emra të njohur nga kultura, sporti, drejtësia, humanizmi që kanë lënë shenjë për vitin 2022, mijëra shqiptarë  zgjodhën emigrantët.

Ata ishin kryefjala e gjithë debateve social-politike. Largimi masiv i të rinjve nga Shqipëria plot sakrifica mori vëmendje ndërkombëtare dhe veçanërisht ishin emigrantët ata që ngritën zërin me forcë në Londër kundër diskriminimit të tyre.

Momenti më i vlerësuar dhe që ka mbetur në memorien e njerëzve është protesta e emigrantëve në Angli kundër deklaratave dhe cilësimeve nga zyrtarë të lartë anglezë por edhe në media si kriminelë.  Teksa nuk duhet harruar se kontributet e emigrantëve  për familjet që kanë lënë në Shqipëri janë një pjesë e rëndësishme e ekonomisë shqiptare.

Në listën e Top Channel me 10 personazhe të vitit 2022, në vend të dytë renditet Dua Lipa, vajza shqiptare më e famshme në botë e cila duket se ka rrëmbyer edhe më shumë zemrat e shqiptarëve me marrjen e pasaportës shqiptare.

Me ngjyrat kuq e zi të flamurit, Dua Lipa u bë lajm botëror gjithashtu me koncertin madhështor më 28 Nëntor të organizuar në sheshin “Skënderbej”,  duke bërë marketingun më pozitiv për Shqipërinë dhe shqiptarët. Numër të përafërt votash kanë sportistët triumfues që e kanë ngritur lart emrin e Shqipërisë.

Luiza Gega, atletja më e mirë shqiptare është bërë kampionia e parë shqiptare e Europës në garat e atletikës për 3 mijë metra. Pas garës e gjithë Europa e pa atleten me lot gëzimi dhe flamurin kuqezi në krahë qe e valëviti në gjithë pistën.

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, dy futbollistët me origjinë nga Kosova ngritën peshë zemrat e gjithë shqiptarëve në botë kur sërish kishin rolin kryesor në fitoren e ekipit të Zvicrës kundër Serbisë në kampionatin botëror.

Gjithashtu,  vajzat e talentuara të ekipit të futbollit të Vllaznisë për herë të parë mundën të bëjnë atë që asnjë ekip shqiptar futbolli nuk e ka arritur. Kalimin në fazën e ndeshjeve në grup në Champions League.

Edhe Armando Broja, futbollisti i Kombëtares shqiptare, djali i një familje emigrantësh në Angli është bërë titull kryesor në botën e sportit për talentin e tij shumë premtues… Shqiptarët kanë vlerësuar edhe aktin heroik të Anri Kashikut, 18 vjeçari që humbi jetën në bregdetin e Durrësit duke shpëtuar nga mbytja vëllanë e tij të mitur dhe shokun e tij 15 vjeçar.

Ndër të tjera, shqiptarët kanë shpresa se SPAK do të ndryshojë fytyrë me zgjedhjen e kreut të ri, Altin Dumanin. Ata kanë votuar Altin Dumanin me besimin se ai do të godasë veçanërisht korrupsionin në nivelet e larta dhe do të çojë pas hekurave ata që cilësoheshin të paprekshëm….

Top Channel