Shtrenjtohet “shporta shtëpiake”/ Greqi, rritje e pazakontë çmimesh në supermarkete

26/12/2022 12:00

Prej ditësh në Greqi konsumatorët po përballen me një valë të paprecedentë të rritjes së çmimeve të hasur në shumicën e supermarketeve me të ashtuquajturën “shportën shtëpiake” , një skemë të Ministrisë së Zhvillimit e cila shtyn të gjithë zinxhirin ushqimor të mbajë nën kontroll rritjen e çmimeve të artikujve të përditshëm, madje duke sjellë edhe ulje të vogla çmimesh.

E nisur në fillim me skepticizëm skema ka filluar të funksionojë për shumë artikuj të produkteve të dorës së dytë, ndërsa artikujt e firmave kryesore ende vazhdojnë të kenë çmime të larta.

Madje këtë javë deri në datën 4 janar, është krijuar edhe një shportë Krishtlindjesh me artikuj kryesisht që konsumohen këto ditë festash.

Me të njëjtin mendim, për të ndihmuar konsumatorët të përballojnë nevojat e shtuara të sezonit festiv, Ministria greke e Zhvillimit në bashkëpunim me dyqanet e lodrave, ka prezantuar edhe të ashtuquajturën “shportën e Babagjyshit të Vitit të Ri “.

“Duam të japim gëzim tek njerëzit, tek miqtë tanë të vegjël lodra të bukura, dhe tek prindërit, kumbarët, gjyshërit dhe gjyshet, xhaxhallarët apo tetot ,mundësinë të kursejnë pak para”, tha Adhonis Georgiadhis, Ministër i Zhvillimit.

Në këtë shportë ndodhet një numër i caktuar lodrash që shiten me çmime më të ulëta se lodrat e tjera. ‘Shporta e Babagjyshit të Vitit të Ri ‘ përfshin një total prej rreth 500 lodrash në  zinxhirin e 15 dyqaneve të mëdha greke që marrin pjesë në skemë.

Të gjitha këto dyqane kanë krijuar shportën e tyre me të paktën një lodër nga 10 kategori  të ndryshme dhe ajo do të jetë e vlefshme deri më 11 janar, ndërsa autoritetet shpresojnë se tregtarët do të fusin më shumë lodra në shportë, në ditët në vijim.

Top Channel