Protestë ndaj “Gener 2” dhe Ballukut/ Banorët e fshatit Bërxull kërkuan mbështetjen e ambasadës amerikane

26/12/2022 14:20

Pas heshtjes së strukturave shtetërore për t’u ulur në bisedime me banorët e Bërxullit, pronat e të cilëve  preken nga konçesioni Thumanë-Kashar, ata  i janë drejtuar këtë të hënë ambasadores Yuri Kim të ndërhyjë për të drejtën e tyre.

Banorët e kanë zhvendosur protestën pranë ambasadës amerikane.

Ata thonë se nuk do të mjaftohen vetëm me protestën pasi kërkesat e tyre do t’ia drejtojnë ambasadores amerikane edhe nëpërmjet një peticioni.

Me pankarta në duar dhe thirrjet “Prona është e shenjtë, do e mbrojmë me gjak”,  ata i kërkojnë ambasadores Yuri Kim të ndërhyjë pasi po shkelen të drejtat e tyre.

“Pas 57 ditë protestë që nga Kryeministria, Ministria e Infrastrukturës Avokati i Popullit, kemi marrë përgjigje nga Agjencia a e Zhvillimit të Territorit, asnjë institucion tjetër nuk na ka kthyer asnjë përgjigje, i drejtohemi ambasadës amerikane, firma zhvillon aktivitetin prej tre muajsh pa asnjë pengesë nga ana e shtetit. Sipas kontratës duhej të ishte përgatiti terreni 12 muaj para, ka zbrit në terren në kundërshtim me të gjitha ligjet”, tha njëri prej banorëve.

“Këtë paligjshmëri do e delegojmë me një peticion dhe të shpresojmë të ketë një zgjidhje për ne”, tha banorja.

“Protesta do të vijojnë, do të shkojmë deri në Këshillin e Evropës”, tha banori.

“Nuk kishte asnjë tentativë, se janë të përfshira të dyja palët, ofiqet e veta i kanë të barabarta”, u shpreh protestuesi.

“Ambasadores i them se ky Gener 2 më vjen tek shtëpia, aty është prona ime prej 100 300 vitesh, do e mbroj me gjak, i rrita 6 fëmijë me djersë e  t’ia shes Gener 2?!  Edhe 100 milionë dynymin nuk ia lejoj, le të më vrasë”, tha banorja e revoltuar.

“Punimet vijojnë në Fushë Prezë, por në Bërxull nuk i kemi leju, këtu nuk ka ligje, nuk ka të drejta, gjithë pasuria jonë aty është’, tha një tjetër protestues.

Ndërkohë që punimet vazhdojnë për ndërtimin, firma ende nuk është pajisur me lejen e  ndërtimit.

Nga ky konçesion preken 30 hektarë tokë dhe 20 banesa. Banorët thonë se nuk do t’i ndalin protestat e tyre, por tanimë e pranë selive të ndërkombëtarëve në Tiranë.

Lexo edhe: Bërxull, protestë kundër rrugës/ Banorët kërkojnë kompensim sipas tregut, firma “Gener 2” filloi punimet pa leje ndërtimi

Thumanë-Kashar nis pa leje ndërtimi/ Gener 2 nisi punën më 20 nëntor, vetëm dje mori një leje zhvillimi

“Do vdesim në tokat tona”/ Banorët protestojnë sërish kundër Thumanë-Kashar

Top Channel