Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, tha se barrikadat në veri të Kosovës do të largohen kur Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Fillimisht Asociacioni i komunave, pastaj ne do të largojmë barrikadat”, tha Vuçiç për gazetarët në Azerbajxhan.

Për krijimin e Asociacionit, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Autoritetet në Kosovë kanë argumentuar se krijimi i këtij Asociacioni do të ishte i dëmshëm për Kosovën.

Sipas Vuçiçit, Kosova nuk dëshiron të dëgjojë, por vetëm dëshiron që ta poshtërojë Serbinë.

Ai theksoi se sjellja e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, është më e drejtë krahasuar me sjelljen e shumicës së qeverive perëndimore.

“Ata [KFOR] po e trajtojnë situatën me seriozitet dhe me përgjegjësi”, tha Vuçiç.

Ai kërkoi shpjegim nga Kosova sa i përket arrestimit të ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq, duke shtuar se Beogradi nuk e di arsyen e arrestimit të tij.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Pantiç – që u arrestua më 10 dhjetor – dyshohet për organizimin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Për shkak të arrestimit të Pantiçit, disa serbë lokalë ngritën barrikada në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt pikave kufitare – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – të Jarinjës dhe Bërnjakut.

KFOR-i ka njoftuar se ka rritur prezencën në Jarinjë për shkak të mundësisë së pranisë së “grupeve të organizuara kriminale”.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se kanë kapacitete për të larguar barrikadat, por i kanë dhënë kohë KFOR-it që t’i largojnë ato në mënyrë paqësore.

KFOR  gjatë ditëve të fundit kanë kryer disa ushtrime në veri të Kosovës, ku situata vazhdon të jetë e tensionuar.

Ata ka publikuar pamje gjatë patrullimit në veri, duke thënë se kjo është bërë për të testuar aftësitë e tyre për të vazhduar sigurimin e një mjedisi të sigurt.

Barrikadat  në veri janë ngritur më 10 dhjetor si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç.

Top Channel