Këshillimi i karrierës nis që në klasën e 9-të: Jo të gjithë për gjimnaz, por edhe shkollat profesionale

21/12/2022 12:40

Tregu i punës, sot më shumë se kurrë, ka nevojë për profesionistë, ndaj për këtë arsye Ministria e Arsimit ka ndërmarrë iniciativën që Këshillimi i Karrierës të nisë që në klasën e nëntë.

Kjo do të thotë që nesër fëmijët tanë të pajisen më një diplomë, që do t’u mundësojë një diplomë të sigurt në tregun e punës dhe jo një karton, që nuk do t’u hyjë në punë për asgjë.

“Në shkollë është ngritur komisioni i Këshillimit të Karrierës. Në këtë platformë, jo vetëm që është vënë në qendër të vëmendjes fëmija, por këtu janë përfshirë edhe prindërit, të cilët duhet të ndërgjegjësohen se jo të gjithë do të bëhen mjekë dhe ekonomistë, por ne po përgatisim fëmijë, që do të jenë të gatshëm për tregun e punës, aty ku e kanë mundësinë, dhe ku është nevoja e qytetit e pse jo e shtetit tonë.

Gjatë këtij procesi, përgjatë gjithë vitit shkollor, fëmijët do të kenë mundësinë të shkojnë në shkollën e mesme Ekonomike, atë të Ndërtimit, në shkollën Teknologjike, shkollën e Hoteleri-Turizmit, në shkollën e futbollit “Loro Boriçi”, në Liceun Artistik, në shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja. Sigurisht neve do të jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me prindërit, për t’u treguar të mirat që do të ketë dërgimi i fëmijëve, jo më të gjithë në gjimnaz, siç shkonin më parë, por t’i orientojmë drejt shkollave profesionale”, shprehet Arjana Maçi, Drejtoreshë në shkollën 9-vjeçare “Misto Mame”.

Aktualisht në klasat e nënta mësojnë rreth 100 nxënës dhe gati 90% e tyre parapëlqejnë të shkojnë në gjimnaz, por ne synojmë që një përqindje më e lartë të nisin me pëlqimin e tyre dhe të familjes, dhe duke e parë se ku e gjejnë më mirë veten e vet, të shkojnë në shkollat e arsimit profesional.

Top Channel