Forca të shtuara të KFOR-it janë parë të dielën në veri të Kosovës, afër pikës kufitare të Jarinjës, ku një grup qytetarësh serbë të maskuar me kapuçë e maska, janë mbledhur në protestë.
Për të penguar çdo incident, KFOR-i ka krijuar një kordon me blinda dhe tela me gjemba.
Disa organizata të djathta nga Mali i Zi, Republika Srpska dhe Serbia kishin paralajmëruar përmes rrjeteve sociale për protestën në orën 13:00.
Protestuesit janë dëgjuar duke bërtitur, “Kosova është zemra e Serbisë”.
Në mesin e protestuesve është edhe Damjan Knezhevic, kreu i grupit jozyrtar të ekstremit të djathtë “Patrulla Kombëtare” nga Serbia.
“Patrulla Kombëtare” njihet për veprimet e saj kundër emigrantëve, për glorifikimin e kriminelëve serbë të luftës dhe mbështetjen për Rusinë në luftën që zhvillon në Ukrainë.
Ndërkohë situata është e njëjtë edhe në Bërnjak.
Disa nga rrugët në veri të Kosovës, vazhdojnë të jenë të bllokuara për të nëntën ditë më radhë, si pasojë e vendosjes së barrikadave nga serbët lokalë si shenjë revolte ndaj arrestimit të ish-zyrtarit policor, Dejan Pantc.
Top Channel