BE- sanksione shtesë Rusisë, e mbyll vitin me më shumë ndihmë për Ukrainën!

16/12/2022 20:10

Ndihmë të re për Ukrainën, sanksione shtesë për Rusinë: Kështu e mbyll vitin Bashkimi Europian.

Liderët e bllokut zhvilluan takimin e tyre të fundit për 2022-shin, gjatë të cilit u pajtuan për një marrëveshje prej 18 miliardë euro për vitin e ardhshëm, që tregon angazhimin e BE-së ndaj Ukrainës.

“Bashkimi Evropian e ka mbështetur financiarisht Ukrainën këtë vit me 19.7 miliardë euro. Dhe përsëri falë presidencës çeke, sot u miratua propozimi ynë për 18 miliardë euro shtesë për vitin 2023. BE-ja është në krye të mbështetjes për fqinjin e saj, ashtu siç duhet të jetë dhe do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë”, tha Ursula von der Leyen.

Kancelari gjerman Olaf Scholz theksoi edhe një herë se vendet e unionit e mbështesin me vendosmëri sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

“Ne theksuam edhe një herë se strategjia e mbrapshtë ruse për të shkatërruar infrastrukturën e Ukrainës dhe për të ekspozuar qytetarët e saj ndaj të ftohtit brutal të dimrit nuk duhet të jetë e suksesshme – dhe nuk do të jetë e suksesshme. Vendosmëria jonë e përbashkët për të mbështetur Ukrainën politikisht, financiarisht, ushtarakisht dhe në fushën humanitare për aq kohë sa është e nevojshme, mbetet e palëkundur”, tha Olaf Scholz, kancelar gjerman.

Udhëheqësit e BE-së ranë dakord gjithashtu për një paketë të nëntë sanksionesh kundër Moskës, për të vendosur në listën e zezë gati 200 persona të tjerë dhe për të ndaluar investimet në industrinë minerare të Rusisë. Vendimi, që kërkonte unanimitet, u mor pasi Polonia dhe Lituania kishin paralajmëruar se nga përjashtimet nga sanksionet e lidhura me sigurinë ushqimore mund të përfitonin oligarkët rusë që kontrollojnë biznesin e plehrave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA