Një satelit i ri evropian i cili lëshohet ditën e sotme do të përmirësojë parashikimin e stuhive të papritura dhe të dëmshme, në mënyrë që të përgatitemi më mirë për to.

Meteosat-12 është planifikuar të lëshohet në raketën e tij Ariane nga porti kozmik i Evropës në Guiana Franceze në orën 17:30 me kohën lokale për të vëzhguar kontinentin evropian, Lindjen e Mesme dhe Afrikën.

Është anija e parë kozmike në një sistem të ri vëzhgimi, shumë miliardë euro, ndërsa konsiderohet si nisja më e rëndësishme evropiane e këtij viti në hapësirë.

“Shikoni stuhinë që përfshiu në Gjermani, Holandë dhe Belgjikë vitin e kaluar, ku mbi 200 njerëz humbën jetën. Këto ngjarje janë tragjike,” tha Phil Evans, drejtori i përgjithshëm i Eumetsat, organizata ndërqeveritare që menaxhon satelitët e motit të Evropës.

“Vëzhgimet më të sakta, të shpeshta dhe më të rëndësishme nga hapësira janë absolutisht thelbësore për të ofruar parashikime dhe paralajmërime më të mira që na ndihmojnë të zvogëlojmë dhe zbusim ndikimet e këtyre ngjarjeve të rënda të motit”, shtoi ai.

Evropa ka anijen e saj meteorologjike të vendosur lart mbi planetin që nga viti 1977. Anija e re që do të dalë të martën është gjenerata e tretë e serisë.

Meteosat-12 do të kthejë një pamje të plotë të motit poshtë tij çdo 10 minuta, pesë minuta më shpejt se sa ndodh aktualisht. Ai do të jetë në gjendje të shohë veçori edhe më të vogla në atmosferë, deri në 500 m në gjerësi, dhe t’i shikojë ato në më shumë gjatësi vale drite.

Një nga risitë kryesore është përfshirja e një kamere për të zbuluar rrufetë. Agjencitë besojnë se kjo do të jetë një ndihmë për atë që ata e quajnë “nowcasting” – aftësia për të gjurmuar dhe paralajmëruar për ngjarje të afërta dhe të rrezikshme. Kjo për shkak se rrufeja është një gjurmuese për shpërthimet e forta të erës, reshjet e mëdha dhe breshrin.

Me satelitët zëvendësues të porositur tashmë për treshen e parë të punës, Evropës i garantohet mbulimi edhe në vitet 2040.

Top Channel