Rikthimi i basteve, nuk do të shëndoshë arkën e shtetit me aq para sa pretendon Ministria e Financave.

Sepse gati prej 4 vitesh bosët e bixhozit mësuan se rruga e informalitetit të sjell më tepër fitime se ajo e rregullave dhe ligjit.

Sipas ekspertes së ekonomisë, Romina Radonshiqi, për të qëndruar në tregun e skedinave, pronarët e pikave të basteve informale do të rrisin koeficientin e ndeshjes me qëllimin e vetëm që të tërheqin më tepër lojtarë.

“Mendoj që me formalizimin e pjesës më të madhe të basteve do të ekzistojë edhe një treg paralel që do të jetë ai informal. Dhe çdo individ që do të jetë i interesuar të jetë pjesë e lojërave të fatit dhe basteve do të shkojë tek ky informali pikë së pari sepse është mësuar dhe së dyti tregu informal do të japë koeficiente më të larta, pra fitime më të larta klientit dhe për këtë arsye dhe në këtë mënyrë do të jetë tepër e vështirë për të eliminuar tregun informal”, tha ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi.

Ministria e Arsimit dhe ajo e Financës që janë duke punuar për ligjin e ri të basteve po punojnë në fshehtësi për draftin që pas disa ditësh do shkojë në parlament.

Vetëm kreu i Komitetit Olimpik një nga mbështetësit e rikthimit të basteve, Fidel Ylli shpjegon një nga mënyrat se si mund të funksionojnë bastet.

“Dhe ne themi që është monopol i shtetit ta komandojë shteti. Edhe njëherë monopol e ka qeveria, por qeveria nuk ka bixhoz. Kompanitë e basteve kanë momente që fitojnë ka momente që humbin. Si do ia bëjë shteti do fusë duart tek buxheti i shtetit t’i japi lekët?! jo. Ajo thotë nëse unë do të jap licencën po të them një shifër do më japësh 3 miliard, dhe për çdo lojtar që do luaj do më japësh përqindje“, tha Ylli.

Edhe pse pikave të llotove iu vendos dryni, shqiptarët kurrë nuk ndaluan së luajturi skedina. I gjithë aktiviteti informal i bixhozit u zhvillua në një  aparat celular dhe gjithçka zhvillohej në botën ilegale. Rikthimi i basteve do të hyjë në fuqi më një janar.

Top Channel