DJ amerikan Steve Aoki dhe ylli korean TOP do të shkojnë në një udhëtim rreth Hënës, pasi ata dhe të tjerë u zgjodhën nga një miliarder japonez për një fluturim privat të SpaceX.

Biznesmeni Yusaku Maezawa zbuloi ekuipazhin e tij të premten pas një kërkimi global për individë kreativë vitin e kaluar.

Fluturimi, i planifikuar për vitin e ardhshëm, i quajtur ‘DearMoon’ mund të jetë udhëtimi i parë hënor i njerëzve që nga viti 1972 dhe do të zgjasë tetë ditë nga nisja në kthim ndërsa anija kozmike do të lëvizë rrreth hënës, 200 km nga sipërfaqa.

Megjithatë, rregullatorët amerikanë nuk kanë dhënë ende leje për raketën Starship nga kompania SpaceX e Elon Musk, me të cilën supozohet të udhëtojë ekuipazhi.

Anija nuk është miratuar as për një udhëtim orbital rreth Tokës dhe është ndalur për 18 muajt e fundit në Teksas, pasi përfundoi një nisje provë në maj 2021.

“Nuk mund ta humbas këtë mundësi”, tha artisti i Billboard-it,DJ Aoki, në një video pasi zbuloi që ishte përzgjedhur në ekuipazh.

Pasagjeri tjetër, Youtuberi Tim Dodd, ka 1.4 milionë ndjekës në internet për videot e tij edukative mbi fluturimet në hapësirë ​​dhe astrofizikën.

Anëtarët e tjerë të shpallur të misionit DearMoon janë:

– TOP (Choi Seung hyun) , një reper i K-pop-it dhe ish-udhëheqësi i grupit Big Bang (Kore e Jugut)
– Kërcimtari dhe koreografi Yemi AD (Republika Çeke)
– Fotografi Rhiannon Adam (Irlandë)
– Fotografi i jetës së egër Karim Iliya (MB)
– Regjisori Brendan Hall (SHBA)
– Aktori Dev Joshi (Indi)

“Shpresoj se secili do të njohë përgjegjësinë që vjen me largimin nga Toka, udhëtimin në Hënë dhe kthimin. Ata do të fitojnë shumë nga kjo përvojë dhe shpresoj se do ta përdorin atë për të kontribuar për planetin, për njerëzimin”,  tha Maezawa.

Top Channel