Në bazë të zhvillimeve te fundit me negociatat, për ti ardhur në ndihmë këtij procesi me ndërtimin e kapaciteteve, Instituti i Studimeve Europianë, pjesë e Universitetit te Tiranës hap për herë të parë në Shqipëri, një program studimi një vjeçar ‘master ekzekutiv për negociatat dhe anëtarësimin në BE’.

“Pikërisht këtë vit me hapjen e negociatave hapet edhe ky program i ri studimi”, njoftoi Aljula Jubani, drejtoreshë në Institutin e studimeve Europiane.

“Do të ketë 50 kuota çdo vit akademik. Duke qenë një proces i gjatë disa vite deri në momentin e anëtarësimit, do duhet të formohen shumë kapacitete të përshtatshme që të mund të angazhohen në këtë proces”, tha pedagogu Gentjan Elezi.

Kjo është java e fundit e aplikimit për këtë program të ri studimi të ciklit të tretë arsimor teksa në mes të dhjetorit nis procesi akademik. Por cilat janë kriteret që kandidatët për ekspertë negociatash duhet të plotësojnë dhe kujt i shërben kjo diplomë?

“I shërben shumë sidomos administratës publike… duhet të kenë përfunduar sistemin 3+2 master shkencor ose sistemin e vjetër 4-vjeçar. Duhet të dijë gjuhën angleze sepse e gjithë mësimdhënia është në anglisht. Pedagoget pjesa më e madhe janë të huaj”

Kurrikula do të jetë në përputhje me metodologjinë e zgjerimit te komisionit europian, ku objektivat që duhet të përmbushë Shqipëria do të shpjegohen më hollësisht në auditore.

“Kriteri politik, ekonomik apo pjesa e drejtësisë, lufta ndaj korrupsionit etj është një nga lëndët që ka më shume të interesuar”.

Masteri i vetëm në rajon për anëtarësimin në be është konceptuar i ndarë në dy semestra, në pjesën e parë do të merren njohuri të përgjithshme, ndërsa në semestrin e dytë studentët do të profilizohen.

 

Top Channel