Një inspektor policie është pezulluar deri në përfundim të hetimeve, pasi ka plagosur nga pakujdesia një shtetas egjiptian gjatë ndjekjes.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kukës ka urdhëruar fillimin e procedimit penal në ngarkim të Kyvet Balajt për veprën “Plagosje e rëndë nga pakujdesia”.
Policia gjatë rrugës automobilistike Milot – Kukës, në vendin e quajtur “Rubik” ka konstatuar një mjet furgon tip ”Volksëagen” rreth orës 23:09, i cili ecte me shpejtësi dhe në mënyrë jo të rregullt, duke krijuar dyshime.
Pas njoftimit dhe verifikimit nga Salla e Komandimit Kukës, rezultoi se mjeti furgon Volksëagen me targë AA 730 VM ishte dhënë me qira.
Menjëherë pas verifikimit nga Salla e Komandimit, është komunikuar me shërbimet policore më të afërta që kanë qenë me shërbim tek Ura e Drinit të Zi dhe u është kërkuar të ndalonin dhe kontrollin mjetin, pasi dyshohej se mund të ishte me emigrantë që vijnë nga Lindja e Mesme.
Pas marrjes së njoftimit, Patrulla e Policisë “Shqipoja” ka lëvizur në drejtim të fshatit Mamës, ku ishte konstatuar për herë të fundit furgoni i dyshuar.
Ata kanë vazhduar ndjekjen e mjetit poshtë nënkalimit të fshatit Mamës-Kukës dhe pas rreth 100 metrash, drejtuesi Klejvi Gjoni 29 vjeç ka ndaluar automjetin dhe ka tentuar të largohej me vrap bashkë me personat që ndodheshin në furgon.
Inspektori sipas deklarimeve të tij, ka nxjerrë armën dhe pasi ka qëlluar dy herë në ajër ka vazhduar ndjekjen e tyre, por duke qenë terren i vështirë me shkurre dhe lagështirë dhe në kushtet e errësirës është penguar duke kryer qitje të pavullnetshme me pistoletën që mbante në dorë. Për pasojë, është plagosur shtetasi egjiptian Muhamet Harbi, i cili ka marrë një plagë në pjesën e shpinës.
Policët kanë bërë shoqërimin drejt Spitalit Rajonal të Kukësit të shtetasit egjiptian të plagosur, si edhe drejtuesit të mjetit furgon, i cili pësoi lëndime të lehta pasi u rrëzua nga një lartësi rreth 3 metra gjatë ndjekjes.
Pasi kanë marrë ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Kukësit, ata janë përcjellë për në Spitalin e Traumës Tiranë dhe aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, në DVP Kukës janë shoqëruar në lidhje me këtë ngjarje 12 shtetas nga vendet e Lindjes së Mesme, të cilët po udhëtonin drejt Kosovës.
Drejtuesi akuzohet për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufjve” dhe “Mosbindja e Urdhërit të Punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë sekuestruar 3 gëzhoja pistolete të tipit GLOK që i përkasin armës së punonjësit të policisë.
Njëkohësisht nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, janë duke u kryer hetime të plota për sqarimin e pozitës ligjore të punonjësve të strukturave të policisë të përfshirë në ngjarje dhe në përfundim të veprimeve hetimore dhe konkluzioneve të Prokurorisë do të përcaktohet përgjegjësia penale e punonjësve të policisë.
Top Channel