Pesë ide të reja u prezantuan sot në “Startop”, projekt i Fondacionit Mediatik “Dritan Hoxha”, mbështetur nga Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Paneli kësaj radhe përbëhet nga sipërmarrësit Shkëlzen Marku e Marjus Bushi, zv. dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Martin Serreqi dhe deputeti e ish-ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi.

Projekti i parë i prezantuar këtë të shtunë vjen nga kompania “Inotecalbania”, e cila ofron një formë paketimi ndryshe nga ajo që jemi mësuar.

Administratori i kompanisë, Flladion Rrudha shpjegoi se kompania merret me produktin nga momenti që vjen nga toka e deri në ambalazhimin final.

“Realizojmë teknologji agropërpunuese 100% ‘made in Albania’, para katër vitesh vumë re që po ndodhte një situatë absurde, nga njëra anë kishim fermerë që nuk arrinin të shisnin produktin dhe nga ana tjetër një treg i jashtëm që po ulërsite për produktet që ishin në Shqipëri. Duhej mekanizimi I procesit dhe krijimi i standardit, instalimi i linjës së parë, i përpunimit nga momenti që vjen nga fusha, tek larja dhe ambalazhimi final”, tha Rrudha.

Projekti i dytë që prezantohet është një fermë në Divjakë e cila teston fruta dhe bimë që nuk janë tipike të vendit tonë, por të vendeve tropikale.

Agronomi Irakli Shkoza i ftuar në studio theksoi se fermerët e vendit tonë kanë një lloj qëndrimi në vend dhe nuk bëjnë përpjekje për të kultivuar bimë të tjera që nuk janë tipike të vendit tonë.

“Duke punuar për një kohë të gjatë në fushën e bujqësisë, mbi 40 vjet gati, vumë re që fermerët përpiqen të shfrytëzojmë kushtet e vendit tonë, Shqipëria ka kushte shumë të favorshme për zhvillimin e në bujqësisë moderne, por struktura e kulturave tona ka një lloj qëndrimi në vend dhe ka përpjekje për të futur kultura të tjera”, tha Shkoza.

Projekti i tretë, “Smart Cities Program” u prezantua nga Esmerina Hidri dhe Rubin Haxhiymeri.

Ky është një program i dedikuar të rinjve ose sipërmarrësve të rinj me qëllim përfshirjen në komunitet dhe aftësimin e tyre për të zgjidhur problematika për të pasur një qytet sa më inteligjent për të gjithë banorët.

“Vjen si një nevojë urgjente për të adresuar problematikat që qytetet janë duke sjellë, për të adresuar problematika të energjisë, ujit. Ka nevojë që gjithmonë të dalim me ide se si t’i bëjmë qytete më të jetueshme, me një cilësi më të mirë, në rastin konkret qytetarët e Tiranës të jetojnë në një botë më të mirë. Është një mundësi për të përfshirë komunitetet, kjo nis me përfshirje dhe qëllimi është të përfshijë sipërmarrës të rinj ku ata mund të eksplorojnë idetë e tyre për të dalë më pas të dalin me një program të qartë”, thanë ata.

Dritan Mollanji prezantoi projektin e katërt, platformën “OpenPay” e cila u mundëson që qytetarët të mund të paguajnë elektronikisht në dyqane fizike dhe online.

“OpenPay tenton të zgjidhë një problem në vendin tonë të pagesave elektronike, aktualisht një pjesë e madhe e qytetarëve do t’u duhet të ikin të shkojnë tek bankomatet dhe të kryejnë pagesën cash tek tregtarët. Ne jemi munduar të hedhim në treg një platformë që do u mundësojë qytetarëve të paguajnë elektronikisht nga telefoni, pagesat elektronike kanë nisur në vitin 2004 në vendin tona, kryesisht me karta, por pranimi kërkon të ketë një parat specifik që vihet në dispozicion nga banka, tek tregtarët. Këto janë të kufizuara dhe kjo bën që kur një qytetar del nga shtëpia duhet të ketë para cash me vete se nuk e di që dyqani ku të shkojë do ta pranojë elektronikisht apo jo”, theksoi Mollanji.

Kompania “Joor’s” është projekti i fundit që u prezantua për këtë puntatë të “Startop”.

Ajo i dedikohet të rriturve dhe fëmijëve duke ofruar produkte artizanale si shalle, kapuça apo batanije. E veçanta e kompanisë është jetëgjatësia e kashmirit, e cila është mbi 100-vjeçare.

Alma Gjonça, e cila prezantoi para panelit produktin, theksoi se prodhimet e tyre  janë të veçanta falë makinerive digjitale, dedikimeve dhe personalizimit për çdo klient. Ajo theksoi se produkti është unik për secilin klient që e porosit.

Top Channel