Ekspertët e futbollit në kanalin Alkass Sports të Katarit u tallën me ekipin gjerman të futbollit pas eliminimit nga Kupa e Botës, duke imituar protestën e lojtarëve për të drejtat e njeriut.

Një video virale në faqen e kanalit në Twitter tregon ish-futbollistin Jamal Mubarak duke mbuluar gojën me dorën e majtë dhe duke tundur të djathtën në shenjë ‘lamtumire’, më pas duke i bërë thirrje ish-portierit egjiptian Essam El-Hadary që t’i bashkohet.

Gjesti imiton atë që lojtarët gjermanë bënë për të protestuar kundër vendimit të FIFA-s për të ndaluar shiritin “OneLove” që shumë kapitenë evropianë kishin shpresuar ta mbanin në Katar në mbështetje të të drejtave LGBTQ.

“Falë Zotit, sot të gjitha kombet arabe dhe myslimane po luten që Japonia të kualifikohet me çdo ekip, por gjëja më e rëndësishme është dalja e Gjermanisë”, tha Mubarak në kanalin Alkass Sports.

“Ju duhet të respektoni zakonet, traditat, kulturën dhe fenë tonë në të njëjtën mënyrë si ne respektojmë zakonet, traditat dhe kulturën tuaj. Kur shkojmë në Gjermani apo vende të tjera, ne respektojmë rregullat dhe ligjet dhe respektojmë gjithçka që është e dashur për shoqërinë atje,” shtoi ai, drejtuar Gjermanisë.

Në një seri postimesh në Twitter javën e kaluar, Federata Gjermane e Futbollit i qëndroi pranë protestës, duke thënë: “Nuk ishte për të bërë një deklaratë politike, të drejtat e njeriut janë të panegociueshme. Kjo është arsyeja pse ky mesazh është kaq i rëndësishëm për ne. Të na mohosh shiritin është njësoj si të na mohosh një zë.”

Top Channel