Presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk do të marrë pjesë në takimin BE-Ballkani Perëndimor, që mbahet në 6 dhjetor në Tiranë.

Arsyeja e zemëratës së tij lidhet me emërimin e kryetarit të Partisë Demokratike Progresive me seli në Graçanicë, Nenad Rashiç, në postin e ministrit për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës. “Jo vetëm që i kanë shkelur të gjitha normat e marrëveshjes së Brukselit, por edhe të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare dhe nuk e kanë dert sepse kjo është në interesin e një fuqie evropiane”, deklaroi kreu i shtetit përpara gazetarëve ne Beograd.

Rashic, në Kosovë nuk ka besimin e askujt, por ka besimin e kryeministrit Albin Kurti dhe perëndimit dhe në këtë mënyrë mendojnë se mund të frikësojnë serbët, shtoi Vuçiç duke përcjellë qartazi zemëratën ndaj një vendimi të tillë. Edhe pse ka vazhduar të pretendojë se Serbia është e angazhuar maksimalisht në procesin e dialogut, deklatata e fundit e tij ishte se Kosova është “shenjtëria më e madhe serbe”.

“Më mirë të mos jem sesa t’ua dorëzojë në duar. Dhe nuk do t’ua dorëzojë. Askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë me 6 dhjetor”, tha ai, duke përcjellë indinjatën ndaj “reagimin e butë të BE-së” për emërimin e Rashic, emerim ky që erdhi më pak se një muaj pas dorëheqjes se ish ministrit Goran Rakiç, i cili vjen nga radhët e Listës Serbe. Aktualisht në institucionet e Kosovës në veri nuk ka punonjës serbë, ndërsa Lista Serbe mbushi vendet e lëna bosh në parlamentin e Kosovës me pretendimin që ato të mos mbushen me serbë të bindur ndaj Prishtinës zyrtare.

Më 23 nëntor Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje lidhur me përdorimin e targave të makinave që çoi në uljen e tensioneve në veriun e Kosovës por jo edhe kthimin e punonjësve serb në institucione.
Kryeministri Albin Kurti tha të mërkurën se largimi i serbëve nga institucionet ishte vendim politik dhe se kthimi i tyre duhet të bëhet në rrugë ligjore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA