Kroacia nuk fiton ndaj Belgjikës, por ia del të kalojë Grupin F. Kombëtarja ballkanase e mbylli me shifrat 0-0 ndeshjen dhe siguroi vendin e dytë në grup, teksa kroatët duhet të “falenderojnë” Romelu Lukakun që në pjesën e dytë shpërdoroi një “thes” me raste për belgët.

Sa i takon kronikës së sfidës, pjesa e parë pa Kroacinë më kërkuese teksa pa u mbushur minuta e parë, ballkanasit treguan muskujt me anë të Ivan Perisic që me një goditje të fortë kërcënoi portën e Courtois. Ndërkohë, episodi më interesant i pjesës së parë u regjistrua në minutën e 15-të kur Kroacia fitoi një 11-metërsh, por teksa Modric bëhej gati të godiste, VAR ndërhyri dhe zbuloi një pozicion të parregullt të Dejan Lovren. Shpëtuan belgët ndërsa dëshpërim në radhët e kroatëve.

Në fraksionin e dytë, Kroacia u shfaq shumë këmbëngulëse në minutat e para teksa Courtois u desh të ndërhynte në dy raste për të evituar golin në goditjet e Brozovic dhe Luka Modric. Megjithatë, shansin më të pastër e pati Romelu Lukaku, por për habinë e të gjithëve sulmuesi gaboi me portën thuajse të boshatisur. Në vijim, sërish lojtari i Interit që në minutën e 90-të shpërdoroi një rast për të vënë duart në kokë teksa gaboi para portës së boshatisur. Deri në fund nuk pati më shanse për belgët me kroatët që qëndruan kompaktë dhe Belgjika kthehet në shtëpi pasi e mbyll grupin në vendin e tretë.

Top Channel