Skemat e mashtrimit në Ballkan/ Call centers, brokerë të rremë dhe mijëra viktima

30/11/2022 18:45

Duke përdorur call center 24 orësh me bazë në Ballkan, një rrjet ndërkombëtar kriptomonedhash ka bërë më shumë se 200,000 viktima në Europë, shumica prej tyre në Gjermani, Itali dhe Spanjë.

Skema globale është ekspozuar tashmë pas një hetimi të mirë-koordinuar, që përfshin policitë e shtatë vendeve. Tre milionë e-maile përgjuan forcat spanjolle të rendit, duke u mundësuar kështu hetuesve të identifikonin më shumë se 470 faqe interneti të mbështetura nga call centera, platforma teknologjike e biznese, shkruan El Pais.

Nga analiza e bërë e-maileve në fjalë, rezulton se domeni kryesor ishte në Spanjë e vlerësohet se 17 mijë viktima të mashtrimit kanë qenë vetëm nga ky shtet. Sipas gazetës së njohur spanjolle, autorët e mashtrimit kanë grumbulluar 2.5 miliardë dollarënga qindra mijëra viktima në mbarë botën. Eurojust (Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale) po koordinon hetimin e paprecedentë me shtatë vende europiane që së fundi kryen bastisje të njëkohshme në call centerat në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Bullgari, Gjeorgji,  dhe Ukrainë.

“Këto organizata u krijuan fillimisht në Izrael dhe Evropën Lindore. Pak nga pak, ato nisën të lidhen me njëra-tjetrën e të zgjerohen”, thotë avokati Mauro Jordan, i cili përfaqëson rreth 20 persona në çështjen ligjore që nxiti  hetimin në Katalonjë. Klientët e tij përfshijnë një grua 80-vjeçare, qe humbi më shumë se 837,000 dollarë (800,000 €) duke investuar në kriptovaluta të ruajtura në portofole dixhitale, tek të cilat në fakt, nuk pati kurrë akses.

“Organizatat per te cilat flasim, jane shumë të mëdha dhe të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën; ato krijojnë e fshijnë vazhdimisht faqe interneti, e po kështu hapin e mbyllin kompani”, thekson juristi. Sipas El Pais, burimi kryesor i telefonatave për viktimat në gadishullin Iberik, ishin call centerat e bastisura në Shqipëri me pjesëmarrjen e autoriteteve spanjolle. Një fletë-arresti, vazhdon shkrimi, është lëshuar për Amant Josifin, pronar i një call centeri, me lidhje në qeverinë shqiptare, i cili është edhe këshilltar në ministrinë e Mbrojtjes.

Top Channel