Anglia u rikthye te fitorja, pasi mposhti me rezultatin e pastër 3-0 Uellsin në derbin britanik të Katar 2022 dhe siguroi kalimin për në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës, ku do të përballet me kampionin në fuqi të Afrikës, Senegalin.

Marcus Rashford ishte padyshim heroi i “tre luanëve” mbrëmjen e sotme, pasi shënoi golin e parë dhe të tretë, ndërsa emrin të listën e golashënuesve e shkroi edhe talenti i Manchester City-t, Phil Foden.

Anglia dominoi gjatë gjithë 90-minutëshit, por sfida u zhbllokua vetëm në minutën e 50’ me një goditje dënimi spektakolare të Rashford, ndërsa dy minuta më vonë Foden dërgoi topin në rrjetë për hreë të dytë, para se sulmuesi i Man. United të shënonte edhe të dytin personal në të 68-ën.

Anglia mbyll kështu fazën në grupe si kryesuese me 7 pikë të grumbulluara në tre ndeshje, 9 gola të shënuar dhe vetëm dy të pësuar, ndërsa në turin tjetër do të gjejë përballë Senegalin, që u rendit i dyti në grupin A.

Kupa e Botës-Katar 2022-Grupi B

UELLS-ANGLI 0-3 (Rashford 50′, 68′, Foden 51′)

Kronika e ndeshjes:

72′ Tjetër mundësi për Rashford, devijon në këndore portieri i Uellsit.

68′ Goooooool! Anglia gjen edhe golin e tretë me Marcus Rashford, sulmuesi i United mposht për të dytën herë portierin e Uellsit.

56′ Reagon Uellsi me Kieffer Moore. Harry Maguire devijon gjuajtjen e sulmuesit, pritje fantastike e portierit Pickford.

51′ Gooooooool! Pak sekonda pas golit të Marcus Rashford, realizon edhe Phil Foden pas asistit të kapitenit Kane. 0-2 për Anglinë.

50′ Gooooool! Anglia në avantazh. Marcus Rashford zhbllokon sfidën falë një goditjeje dënimi.

45+5′ Zgjihet Uellsi që rrezikon me anë të “veteranit” Joe Allen.

38′ Provon edhe Phil Foden për Anglinë, mbi tra goditja e yllit të Manchester City.

10′ Shans i artë për Anglinë. Marcus Rashford del i vetëm përballë portierit Danny Ward, ky i fundit shpëton portën e tij.

Top Channel