Familjet e lojtarëve të skuadrës kombëtare të Iranit që ndodhet në Botërorin e Katar, janë kërcënuar me arrestime dhe tortura nëse lojtarët nuk sillen mirë para ndeshjes me SHBA.

Lajmin e bëri të ditur CNN, duke cituar, “një burim që është i përfshirë në sigurinë e lojërave”.

Pas refuzimit të lojtarëve të Iranin për të kënduar himnin kombëtar në ndeshjen e tyre hapëse kundër Anglisë në 21 nëntor, burimi bëri të ditur se lojtarët janë thërritur në një takim me anëtarë të Gardës revolucionare të Iranit. Në atë rast ju është thënë lojtarëve se familjet e tyre do të përballeshin me dhunë dhe tortura nëse nuk do të këndonin himnin kombëtar, apo nëse do të përfshiheshin në çdo lloj proteste politike kundër regjimit në Teheran.

Lojtarët kënduan himnin para ndeshjes së dytë me Uellsin të premten e kaluar, ku Irani fitoi 2-0. Burimi i cituar nga CNN, që po monitoron nga afër agjencitë iraniane të sigurimit që operojnë në Katar gjatë periudhës së Kupës së Botës, konfirmoi se dhjetëra zyrtarë të gardës revolucionare janë impenjuar për të mbikëqyrur lojtarët iranianë që nuk janë të autorizuar të krijojnë shoqëri jashtë skuadrës apo të takohen me të huaj.

“Ka një numër të madh agjentësh të sigurimit iranian në Katar, të cilët mbledhin informacione dhe monitorojnë lojtarët”, bëri të ditur burimi në fjalë.

Top Channel