Mbledhja e përbashkët Shqipëri-Kosovë, Nikolla: T’i shndërrojmë kufijtë shtetërorë në kufij formalë

27/11/2022 10:35

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla gjatë fjalës së saj në mbledhjen e dy Kuvendeve asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, për nder të 110 vjetorit të pavarësisë tha se kufijtë shtetërorë mes dy vendeve e shteteve të tjera fqinje duhet të shndërrohen në kufij formalë.

Ajo theksoi se sfidat e shqiptareve në shekullin ku kemi hyrë pavarësisht faktit se jetojnë në shtete të ndryshme janë të përbashkëta dhe përballen me projekte të përbashkëta.

Fjala e plotë:

Sot kjo orë e shënuar që përmes emocionesh rikonfirmon thirrjen shpirtërore “Një komb-një qendrim”, atë të vellazërimit Shqipëri-Kosovë në vigjilje të 28 Nëntorit, ditës themeluese të Pavarësisë dhe të shtetit, bie për shqiptarët. Kumti i saj i mbush ata me ndjenja të fisme e identifikuese. Të gjithë shqiptarët, kudo ku ndodhen, i mbush me krenari, kujtime e refleksione për atë çka ishim dhe bëmë, për atë që jemi dhe duam, për atë qe nesër do ju lëmë trashëgim fëmijeve tanë shqiptarve të gjeneratës së re.

E shënuar .. ! E para herë…! Ditë e bukur dhe e paharrueshme kjo e sotshmja, ku Kuvendi i i Shqiperisë dhe ai i Kosovës mblidhen së bashku në mënyrë solemne e festive për të kremtuar 110 vjetorin e ngritjes së Flamurit të Gjergj Kastriotit Skenderbeut në Vlorën e 1912-tës nga Ati themelues, Ismail Qemali, lavdia e të cilit ska nevojë per asgjë , e jona ka nevojë për të tijën. Dikur edhe si ënderr nuk mund të na shfaqej ky moment nga pengesat e panumërta të historisë që ekzistencën, territorin, gjuhën , identitetin na vinin në diskutim.

Teksa ecën nëper stinë e motë shqiptarët e gjetën shekullin e tyre ngado që ata u nisën Prizreni a Vlora, Tirana a Prishtina, Shkodra a Tetova, Tuzi e Gostivari. Asnjëherë nuk i ikën ata privilegjit dhe nderit që u dha emri shqiptar e shumë më tepër sakrifikues për të mbetur të tillë në Ballkanin e kohëve të trazuara e luftrave të përgjakshme. U bë Shqiperia dhe Kosova , u bënë shqiptaret këtej e andej kufirit qytetarë të denjë të cilivizimit që i përkasin. Pa dallim feje e krahine ju falën Flamurit kombëtar. Nder e lavdi përjetë burrave të Pavaresisë, ideologeve, luftëtarve, firmëtarve dhe mbrojtësve të saj me pendë e pushkë. Shqipja, Shqiptari dhe Shqiperia kjo rini e shenjtë i kanë fituar sfidat egzistenciale me historinë. Shqiperia dhe Kosova sot janë dy shtete të pavarura, demokratike , të respektuata me miq dhe aleatë të mëdhenj SHBA-të dhe BE me aspiratë integrimin drejt Brukselit.

Ajo çka ndodhi më 28 Nëntor 1912 nuk ishte gjithçka shqiptaret dëshironin por ishte guri i themelit mbi të cilin do të ndërtohej e ardhmja. Shumë supe ka përgjakur peshë e atij guri. E mendoj atë mbi supet e Pjetër Bogdanit kur udhëhiqte Kryengritjen e Kosovës, të Jeronim De Radës , Naim Frashërit , Gjergj Fishtës , Faik Konicës, Fan Nolit e shumë mendjeve të ndritura,teksa ndërtonin doktrinën kombëtare. Mbi supet e luftëtareve të Lidhjes së Prizerenit, të Abdyl Frashërit , Ymer Prizërenit dhe Sulejman Vokshit, të kryengritësve të 1908, të 1911-12 , mbi ato të Dedë Gjo Lulit në Deçiç , të Isa Boletinit rrugës së gjatë për në altarin e Flamurit; apo mbi ato të Ismail Kadaresë, letërsia e të cilit i bëri shqiptarët të përbotshëm. Në një sallë si kjo tempull i demokracisë, vizioneve dhe horizonteve shqiptare për një të ardhme më të begatë, është vendi i duhur për të kujtuar ata që bënë kongresin e Lushnjes dhe stabilizuar shtetin deri në vitin 1939. Ata që luftuan kundër okupatorvë, ata bijë e bija idealiste që mbushën malet për lirinë e Shqiperisë në luftën e dytë botërore! Sot është dita dhe vendi për të kujtuar martiret e burgjeve komuniste, qëndrestaret, disidentët , klerin, shkrimtarët të gjithë ata që se humbën kurrë besimin tek liria. Po kaq studentët e dhjetorit 1990, ato vajza e djem të cilët me thirrjet e tyre “E duam Shqiperinë si gjithë Europa” përkufizuan formulën kombëtare të bashkohësisë këtë busull për politikën shqiptare. Historia nuk është vetëm rrëfim por mbi të gjitha shkollë ku kemi arkiven tonë që na sjell në vëmendje, ngjarjet , vitet, personalitet , idetë triumfuese prej të cilave duhet të marrim frymëzim por po kaq vitet e mbrapshta dhe emër-keqinjtë e saj që i dominuan prej të cilëve duhet të ruhemi që kurrë të mos përsëriten. Mënyra e të menduarit të shqiptarëve të ndryshojë në përputhje me realitetin e ri gjeopolitik dhe pozitën e shqiptarëve në këtë realitetit gjeopolitik.

Në jo pak raste ne mendojmë si në kushtet e pengesave dhe barrierave të dikurshme. Kufijtë e dikurshëm e përcaktojnë ende këtë mënyrë të menduari: ato kufij janë jo pak herë kufij mentalë. Sfidat e shqiptarëve në shekullin ku kemi hyrë pavaresisht faktit se jetojnë në shtete të ndryshme janë të përbashkëta dhe përballen me projekte te përbashkëta. Sot Shqiperia është anëtare e Natos dhe ka hapur negociatat me BE! Me 6 dhjetor Tirana do të jetë kryqyteti politik i Europës lideret e së cilës këtu do të mblidhen për të diskutuar mbi projektin integrues dhe sfidat e mëdha të sigurisë e paqes që u vunë në diskutim nga Lufta terroriste e Rusisë ndaj Ukraines. Nder i madh për vendin tonë, por edhe shprehje e autoritetit ndërkombëtar të Shqiperisë. Në keto dekada ne shqiptarët kemi qënë të ndarë me mur. Përtej formës së regjimeve në gëzimet dhe vajet tona e kemi patur gjithmonë në qëndër të vetëdijes njëri-tjetrin. Kujtojmë vitet 1913 dhe 1945 ne Kosovë, vitet 1968, 1974, 1982, 1989, 1999 dhe 2007, vite shënjuese të rezistencës kombëtare, vite betejash e demostratash, vite lufte e lirie, të një gjaku që nuk mund të falej, vitet e një populli të ndaluar me mijëra viktima, i cili me lëvizjen paqësore të udhëhequr nga Ibrahim Rugova , me heroizmin e UÇK-së së Adem Jasharit dhe heronjve të tjerë të lirisë e shtetformimit emancipuan ndërgjegjen e kontinentit, thyen bestytni e paragjykime, demokratizuan vetë Ballkanin duke çuar në vend amanetin e eterve të 28 Nentorit 1912 duke hequr përgjithmonë ndalesën. Shtetet, shoqeritë dhe burimet tona janë komplementare dhe sa më shumë të koordinohen aq më shpejt përparon bashkësia shqiptare në ballkan. Zhvillimi ekonomik, kulturor, social i pjesëve te kësaj bashkësie ndihmon zhvillimin e pjesëve të tjera dhe të tërë bashkesisë ashtu sikur mungesa e zhvillimit sjell ngadalësim të ndërsjellë të secilës pjesë dhe të krejt bashkësisë.

Kjo vetëdije e një strategjie të përbashkët zhvillimi nuk i kundërvihet asnjë bashkësie tjetër në rajon dhe në Evropë, përkundrazi, sa më e zhvilluar të jetë bashkësia shqiptare në rajon aq më i qëndrueshëm do të jetë edhe rajoni edhe Evropa, Shqiperia dhe Kosova si dy etnitete politike të Shqiptarëve në Ballkan dhe me aspiratë integrimin evropian duhet të bashkëndajnë përgjegjësinë për të materializuar vullnetin e shqiptarëve për t’i shndërruar kufijtë shtetërore mes dy vendeve, por edhe me vendet fqinje në kufij formale. Për këtë një rol vendimtar kanë dy Kuvendet tona të cilat duhet të japin kontributin e tyre në fushën e legjislacionit si premisë e domosdoshme për një strategji zhvillimi të përbashkët. Duke bërë këto konstatime jam besëplotë se Shqiptarët pasardhësit e Nënë Terezës kudo që jetojnë dhe punojnë në Shqiperi Kosovë, Maqedoni , Serbi apo në Malin e Zi do të dinë të bëjnë më të miren për gjithçka ata kanë të shënjtë e që si të tillë do jua lënë brezave!
Gëzuar Festën e Flamurit bashkombas ! Gëzuar Shqipëri! Gëzuar Kosovë! Zoti e bekoftë kombin Shqiptar!

Top Channel