Polonia triumfoi 2-0 ndaj Arabisë Saudite ne ndeshjen e dytë të grupit, duke hedhur një hap shumë të rëndësishëm sa i përket kualifikimit për në raundin tjetër, për fazën me eliminim direkt.

Polakët numërojnë kështu katër pikë, ndërsa në ndeshjen e fundit do të luajnë përballë Argjentinës.

Lajmi i ditës nuk ishte vetëm suksesi i pastër i Polonisë, por edhe goli i parë i Robert Lewandowski-t në Kupën e Botës.

34-vjeçari realizoi rrjetën e parë në një kompeticion të tillë dhe pas ndeshjes shpërtheu në lot gëzimi, ndërsa në karrierën e tij të lavdishme, ky ishte goli numër 635-të.

Pas shumë çmimeve individuale, pas shumë golave dhe pas shumë trofeve me klubet ku është aktivizuar, tani sulmuesi i Barcelonës shënon një tjetër numër në karrierën e tij, por një numër dhe një gol i cili do të qëndrojë gjithmonë në memorien e tij.

Lewandowski debutoi me përfaqësuesen polake në vitin 2008 dhe kjo ishte ndeshja numër 136 dhe tani ai numëron 77 gola dhe është lojtari me më shumë prezenca dhe golashënuesi më i mirë në historinë e Polonisë.

Ky është Botërori i dytë për të, pas Rusi 2018, por Polonia në atë edicioni nuk ia doli të kalonte grupin, duke marrë vetëm një fitore përballë Japonisë dhe duke shënuar vetëm dy gola, por asnjë me firmën e Lewandowski-t.

Me rrjetën e gjetur, tani Polonia shpreson akoma edhe më shumë te Robert Lewandowski, për të siguruar kualifikimin pas 36 vitesh, pas edicionit Meksikë 1986./ Super Sport

Top Channel