Argjentina siguron suksesin e parë në Kupën e Botës, Katar 2022, por përfaqësuesja “Albiceleste” i falet përsëri kapitenit dhe njeriut lider, Lionel Messi-t.

7 herë fituesi i “Topit të Artë” ishte përcaktues në triumfin ndaj Meksikës, në një sfidë shumë të ekuilibruar dhe ndaj një kundërshtar shumë të mobilizuar në mbrojtje.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, në një fraksion ku meksikanët provuan të testonin mbrojtjen argjentinase, ndërsa të besuarit e Scaloni-t u treguan të saktë në prapavijë, por jo kërcënues në portën e Meksikës.

Fraksioni i dytë solli një panoramë tjetër, me Argjentinën që e zhvendosi kundërshtarin në metrat e fundit, duke dominuar në çdo aspekt dhe pse goditjet në portë ishin pika më e dobët e Messi-t me shokë.

Në mesin e pjesës së dytë, në minutën e 64-të Messi veshi “kostumin” e superheroit, duke realizuar një perlë të vërtet nga distance, një gol personal dhe një gol “alla” Messi, me numrin 10-të I cili jo vetëm u çlirua në aspektin personal, por ndryshoi të gjithë mentalitetin e skuadrës.

“Pleshti” shënoi golin e dytë në këtë Botëror dhe të tetin në karrierën e tij duke barazuar legjendën Diego Armando Maradona, por edhe rivalin e tij të përjetshëm, Cristiano Ronaldo.

1-0 dhe meksikanët provuan të reagonin, por e kishin të vështirë, me Argjentinën që provoi kundërsulmin, por goli i dytë erdhi nga një goditje e gjitha personale e talentit Enzo Fernandez.

Futbollisti i Benfica-s shënoi në minutën e 87-të duke vulosur ndeshjen, ndërsa për të ishte një gol për tu vendosur në “kornizë”, pasi ishte goli i parë me përfaqësuesen në ndeshjen numër pesë për të.

Në fund asgjë nuk ndryshoi në rezultat, por  në renditje po. Tani Argjentina katapultohet në vendin e dytë me 3 pikë, një më pak se Polonia që kryeson me 4 dhe do të jetë kundërshtari i radhës, ndërsa Meksika zbret në vendin e fundit me 1 pike, dy më pak se Arabia Saudite, kundërshtari i radhës për ta.

 

Top Channel