Nuk ka asnjë kontradiktë mes luftës kundër trafikantëve të njerëzve dhe parandalimit të nisjeve të paligjshme u shpreh zv/presidenti i Komisionit Europian Margaritis Schinas në fundin e një takimi të jashtëzakonshëm të ministrave të BE-së mbi emigracionin.
Takimi u thirr pas krizës së Italisë në fillim të nëntorit, kur qeveria e re e krahut të djathtë të Giorgia Melonit filloi tërheqjen e një numri anijesh të OJQ-ve që shpëtonin emigrantët e mundshëm që përpiqeshin të kalonin Detin Mesdhe.
Parandalimi i largimeve dhe përmirësimi i kthimeve dhe ripranimit ishin prioritetet kryesore të përshkruara nga ministrat e bllokut, të cilët deklaruan se kishin gjetur gjuhën e përbashkët se si të përballeshin me ngërcin e emigracionit të paligjshëm.
“Ne nuk mund dhe nuk duhet të trajtojmë krizat një nga një, nga njëra anije tek tjetra, incident pas incidenti. Ne kemi nevojë për një kornizë të vetme të mbështetur në ligjin e BE-së.”- tha Margaritis Schinas
Çështja se kush duhet të marrë përgjegjësinë për ata që arrijnë në bllokun e pasur evropian me varka të vogla për t’i shpëtuar varfërisë ose luftës ka pllakosur prej kohësh marrëdhëniet brenda bllokut. Kjo çështje u ringjall gjatë nëntorit pas përplasjes së Parisit dhe Romës pasi Franca pranoi në brigjet e saj anijen “Ocean Viking” që kishte shpëtuar 234 emigrantë mbi Mesdhe, anije që Italia e kishte kthyer mbrapsht.
Një nga pikat e planit prej 20 pikash të hartuar nga Komisioni Ekzekutiv i BE-së me qëllim trajtimin e emigracionit në rritje në Mesdhe, ishte forcimi i bashkëpunimit me vendet e treta, duke përfshirë hapat për të parandaluar largimet nga Afrika e Veriut.
Plani synon gjithashtu një koordinim më të madh të BE-së për kërkimin dhe shpëtimin, duke përfshirë koordinimin mes shteteve bregdetare dhe vendeve të origjinës së anijeve që shpëtojnë migrantët.
Top Channel