Irani zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, sulmoi gjatë gjithë kohës, dominoi Uellsin dhe fitoi me meritë 2-0 takimin e dytë të grupit B në Katar 2022.

Skuadra e Carlos Queiroz reagoi pas humbjes 6-2 ndaj Anglisë dhe siguroi tri pikë të arta ndaj kombëtares ishullore.

Dy herë goditi shtyllën Irani brenda pak sekondave, teksa VAR-i i anuloi një gol në pjesën e parë. Gjithsesi, skuadra aziatike nuk hoqi dorë nga sulmet dhe u shpërblye në minutat shtesë. Minuta e 86’ solli kartonin e parë të kuq në këtë Botëror.

Wayne Hennessey, portieri i Uellsit, kreu një faull të rëndë ndaj Mehdi Taremit. Arbitri i tregoi të verdhin, por ndryshoi mendim pas ndërhyrjes së teknologjisë, duke nxjerrë me karton të kuq “gardianin” e Uellsit.

Irani mori zemër dhe realizoi dy gola në minutat shtesë me anë të Roozbeh Cheshmi dhe Ramin Rezaeian, lojtarë të ardhur nga pankina. Në fund festë iraniane dhe lot te Uellsi, që mbetet në kuotën e një pike.

UELLS-IRAN 0-2 (90+8′, Rezaeian 90+11′)

Kronika e ndeshjes:

90+11′ Irani realizon edhe golin e dytë me anë të Ramin Rezaeian, i cili vulos fitoren e skuadrës së tij.

90+8′ Zhbllokohet sfida. Roozbeh Cheshmi, i ardhur nga stoli, tundi rrjetën e Uellsit me një gjuajtje fantastike, duke i dhuruar Iranit avatazhin e merituar.

88′ Irani merr zemër nga superioriteti numerik. Mehdi Torabi i afrohet golit me një gjuajtje shumë të bukur, topi jashtë, shpëton sërish Uellsi.

86′ Vjen kartoni i kuq i parë në Katar 2022, me ndihmën e VAR-it. Wayne Hennessey ndërhyn ashpër ndaj Mehdi Taremit, portieri i Uellsit mbyll përpara kohe ndeshjen e sotme.

83′ Zgjohet Uellsi, por “sallakja” e Ben Davies përfundon mbi tra.

73′ Irani vazhdon të sulmojë. Gjuajtje e bukur e Saeid Ezatolahi, devijon në këndore portieri Wayne Hennessey.

56′ Momente të mira për Iranin, mbrojtja uellsiane eviton rrezikun.

51′-52′ Irani i pafat. Kombëtarja aziatike godet dy shtylla të njëpasnjëshme me anë të Sardar Azmoun dhe Ali Gholizadeh. Shpëton Uellsi.

45+2′ Irani në sulm, por Sardar Azmoun nuk arrin të devijojë topin e Ahmad Noorollahi.

42′ Uellsi rrezikon me anë të Harry Wilson, por mbrojtja iraniane devijon në këndore diagonalen e lojtarit të Fulhamit.

16′ Irani gjen golin falë disa kombinimeve të bukura. Ali Gholizadeh dërgoi topin në rrjetë, por VAR-i e anulon për pozicion të parregullt të lojtarit të Charleroi.

12′ Uellsi pranë golit. Connor Roberts kroson nga e djathta, Kieffer Moore tregohet më i shpejtë se mbrojtësi i Iranit, por portieri grushton devijimin e sulmuesit të Bournmeouth.

Sot nisin ndeshjet e dyta të fazës së grupeve në Botërorin Katar 2022. Uellsi dhe Irani do të ndeshen mes tyre në stadiumin “Ahmad bin Ali Stadium”. Kombëtarja ishullore kërkon fitoren e parë pas barazimit 1-1 në start ndaj SHBA.

Ndërkohë Irani synon të reagojë pas humbjes së thellë 6-2 ndaj Anglisë. Përballja tjetër e grupit B është ajo mes Anglisë dhe SHBA, që fillon prej orës 20:00.

Top Channel