Festivali mbarëkombëtar i teatrit “Mjeshtra të mëdhenj të skenës” u mbyll pas një maratone 7 ditore të edicionit “Ndrek Luca”, në teatrin e Gjirokastrës.

Më shumë se 100 artistë u bënë pjesë e këtij eventi ndërsa 7 trupat e teatrove të njohur shqiptarë mbushën skenën me emocion, humor, dramë dhe momente të shumta ndërveprimi me publikun.

Komedia e Çehovit “Martesa” e vënë në skenë nga trupa e teatrit të Durrësit “Aleksandër Moisiu” nën regjinë e Driada Dervishit u vlerësua nga juria me çmimin e parë. Komedia megjithëse e shkruar më shumë se 130 vjet më parë sjell me ngjyrime aktuale qëndrimet komplekse rreth insitucionit të martesës.

Gjatë një jave intensive artistike eventi pati efekt jo vetëm në jetën e qytetit por edhe atë të vizitorëve duke i shtuar një dimension tjetër jetës së mbrëmjes.

Festivali i teatrove mbylli edicionin e tij të tretë, por njëherazi inkurajoi shumë trupa të vazhdojnë interpretimin në Gjirokastër. Disa shfaqje të tjera priten para mbylljes së vitit ndërsa i sivjetshmi ishte sezoni më produktiv artistik prej dekadash.

Top Channel