Një aeroplan me dy vende rrëzohet në Filadelfia, plagosen pasagjerët
SHBA planifikon të blejë 100,000 fishekë municionesh artilerie nga prodhuesit e armëve koreano-jugore për t’ia ofruar Ukrainës.
Ky vendim u transmetua nga një zyrtar amerikan, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të gjetur armatim në dispozicion për betejat me intensitet të lartë që po zhvillohen në Ukrainë.
Si pjesë e marrëveshjes, SHBA-ja do të blejnë 100,000 fishekë municionesh 155 mm, të cilat më pas do të transferohen në Ukrainë.
Marrëveshja lejon Korenë e Jugut t’i përmbahet premtimit të saj publik se nuk do të dërgojë ndihmë vdekjeprurëse në Ukrainë.
Në një deklaratë të lëshuar të premten në mëngjes, Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut tha se nuk kishte ndryshuar qëndrimin për dërgimin e armëve në Ukrainë dhe se besonte se “përdoruesi përfundimtar” i municioneve janë Shtetet e Bashkuara.
“Negociatat janë duke vazhduar midis kompanive amerikane dhe koreane për të eksportuar municione, në mënyrë që të kompensohet mungesa e inventarit të municioneve 155 mm në SHBA”, tha ministria.
Deklaratat nga Koreja e Jugut dhe SHBA-ja bëjnë të qartë se marrëveshja, e cila ka qenë në diskutim prej muajsh, ende nuk është finalizuar.
CNN shkruan se blerja e një furnizimi kaq të madh të municioneve artilerie është shumë e ndjeshme për Korenë e Jugut, veçanërisht duke pasur parasysh lëshimet e fundit të raketave dhe testet e armëve të kryera nga Koreja e Veriut.
Koreja e Jugut ka marrë pjesë në takimet e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, grupi shumëkombësh i krijuar nga Shtetet e Bashkuara për të identifikuar rezervat e disponueshme të armëve dhe për t’i dërguar ato në Ukrainë.
Seuli deri më tani ka refuzuar publikisht të dërgojë ndihma vdekjeprurëse në Ukrainë, duke ofruar vetëm ndihma humanitare, të tilla si furnizime mjekësore dhe jelek antiplumb.
Lajmi për transferimin, i raportuar fillimisht nga Wall Street Journal, vjen pasi SHBA-ja ka paralajmëruar se Koreja e Veriut po furnizon fshehurazi Rusinë me predha artilerie për luftën në Ukrainë.
Transferimet e synuara nga Pheniani dhe Seuli nxjerrin në pah presionin që ka bërë lufta mbi bazat industriale të mbrojtjes të SHBA-së dhe Rusisë.
Top Channel