Kryetari i Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi dhe shoferi i tij, të cilët u plagosën ditën e sotme, tashmë janë jashtë rrezikut për jetën.

Sipas mjekut kirurg Sami Osmani, gjendja e shoferit është në përmirësim dhe se nuk ka më rrezik për jetën.

Gazmend Bullari (shoferi) është dëmtuar në stomak dhe zorrën e trashë, ku më pas iu është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në spitalin e Lushnjes.

“Kryetari ka qenë i plagosur dhe u dërgua në Spitalin e Traumës. Shoferi ka dëmtime në stomak dhe zorrën e trashë, hyri në sallë, u përpunua dhe është jashtë rrezikut për jetën në reanimacion. Të dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën”, tha mjeku.

Si ndodhi ngjarja: 

Kryetari i Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi është plagosur me thikë këtë të enjte bashkë me shoferin e tij, pas një konflikti me një ish punonjës të bashkisë.

Sipas informacioneve, ai kishte dalë për inspektim në një nga banesat pranë bashkisë së Divjakës në momentin që është konfliktuar me autorin Orges Xhelili.

Teksa kryebashkiaku ishte në inspektim, Xhelili është afruar dhe e ka fyer, ndërsa më pas debati mes tyre ka degraduar në përdorimin e thikës nga ana e autorit.

Me agresorin fillimisht është përleshur shoferi Gazmend Bullari, i cili ishte në gjendje kritike për jetën, pasi mori një plagë në bark, duke i dëmtuar organet jetësore.

Kryebashkiaku u dërgua fillimisht në spitalin e Lushnjës dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Kryebashkiaku i Divjakës, Fredi Kokoneshi

Kryebashkiaku i Divjakës, Fredi Kokoneshi

Pas ndërhyrjes kirurgjikale, kryebashkiaku Kokoneshi është paraqitur në gjendje më stabël, gjë e cila i ka lejuar të transportohet drejt Traumës në Tiranë.

Ndërsa shoferi nuk mund u transportua drejt një spitali tjetër, pasi gjendja e tij mund të përkeqësohej ngaqë ka humbur shumë gjak për shkak të plagës së rëndë.

Xhelili dyshohet se ka pasur një konflikt me Fredi Kokoneshin.

Mësohet se Orges Xhelili më herët ka punuar si punonjës IT pranë bashkisë së Divjakës për një periudhë të shkurtër.

Ende nuk janë bërë të qarta plotësisht arsyet e konfliktit mes tyre, ndërsa grupi hetimor pritet të zbardhë rrethanat e ngjarjes.

Autori është kapur dhe shoqëruar në komisariat, ndërsa forca të shumta policie janë në spital, ku ndodhen dy të plagosurit.

Top Channel