‘Kokë më kokë’ për Senatin, Arizona dhe Nevada shpresa e vetme e demokratëve

10/11/2022 19:26

Amerika po pret me ankth rezultatin e pjesës së mbetur të votave të pa numëruara ende në Arizona dhe Nevada, për të parë se si do të jetë balanca e pushtetit në senat, për dy vitet e ardhshme të presidencës së Biden.

Republikanët duket se kanë rrëmbyer tashmë Dhomën e Përfaqësuesve – Dhomën e ulët të Kongresit – por kontrolli i Senatit është ende në fije të perit.

Cilado nga partitë që fiton dy nga tre garat e jashtëzakonshme në Arizona, Xhorxhia dhe Nevada do të kontrollojë Senatin.

Por gara në Xhorxhia nuk do të ketë një rezultat konkret deri më 6 dhjetor, pasi asnjë nga kandidatët nuk mori shumicën e nevojshme të votave.

Në këtë pikë mbeten vetëm, dy rrugë të mundshme: Secila parti mund të marrë kontrollin e Senatit nëse i fiton të dyja garat, atë në Nevada dhe në Arizona , por në të kundërt kontrolli i Senatit do të varet nga rezultati i balotazhit në Xhorxhia.

Historia ka treguar se Partia në pushtet pëson humbje të në zgjedhjet e para të ndërmjetme dhe rezultatet e së martës sugjeruan se votuesit po ndëshkonin Biden për inflacionin më të lartë në 40 vjet.

Megjithatë demokratët ishin në gjendje të shmangnin humbjen e madhe që republikanët kishin parashikuar.

Nga ana tjetër rezultatet e së martës treguan gjithashtu se votuesit ndëshkuan përpjekjet republikane për të ndaluar të drejtën e abortit dhe për të hedhur dyshime mbi procesin e numërimit të votave në vend.

Top Channel