Të hënën, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe tha se humbjet e Rusisë në Ukrainë po çojnë “në rënien e epërsisë së saj ajrore” për shkak të mungesës së trajnimit të pilotëve, si dhe rrezikut për të ofruar mbështetje për avionët në zonat me aktivitet të lartë të mbrojtjes kundër-ajrore.
“Ka të ngjarë që aftësia e Rusisë për të zëvendësuar avionët është më e ulët se dëmet që po pëson. Koha e nevojshme për trajnimin e pilotëve ul edhe më tej aftësinë e Rusisë për të ringritur aftësinë ajrore luftarake”, thuhej në një postim në twitter, të ministrisë britanike, e cila shtonte se kapaciteti ajror i Rusisë nuk pritet të ndryshojë gjatë muajve të ardhshëm.
Të dielën, ndërkohë qyteti i Khersonit mbeti pa ujë dhe energji. Zyrtarët e vendosur nga Rusia në këtë rajon të pushtuar, akuzuan Ukrainën për sabotazh, edhe pse nuk dhanë prova për këtë.
Zyrtarët pro-rusë në qytet thanë se po punojnë për rikthimin e energjisë.
Megjithatë, kryetari i njësisë administrative të Khersonit, ukrainasi Yaroslav Yanushevych, akuzoi Rusinë për ndërrperjen e linjave elektrike. Përmes një postimi në telegram ai tha se “në qytetin e pushtuar të Berislavit, në rajonin e Khersonit, trupat ruse shkatërruan linjat e tensionit të lartë. Dëmi është shumë i madh”, tha ai.
Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky dhe zyrtarë të tjerë kanë deklaruar se 30-40% e instrastrukturës energjitike të Ukrainës është shkatërruar gjatë muajve të fundit, si pasojë e sulmeve me raketa të Rusisë.
Përmes një videoje të postuar mbrëmjen e së dielës, zoti Zelensky tha se “Kievi dhe 6 rajone të tjera janë në terr. Më shumë se 4. 5 milionë konsumatorë kanë mbetur pa energji elektrike. Shumica e tyre janë në Kiev. Është shume e vështirë”, shtoi ai.
Kryetari i Bashkisë së Kievit Vitali Klitschko paralajmëroi qytetarët se nëse Rusia vijon sulmet ndaj infrastrukturës energjitike ata duhet të përgatiten për të përballuar dimrin më të rëndë, pa energji, pa ujë dhe ngrohje në temperatura tejet të ulëta.
Presidenti Zelensky, duke iu referuar Iranit, tha se kushdo që mbështet Rusinë në vazhdimin e luftës duhet të vuajë pasojat e luftës. “Nëse Irani nuk do kishte mbështetur me armë Rusinë, tani do ishim më pranë paqes”, tha ai.
Të shtunën, për herë të parë, Ministri i Jashtëm i Iranit, Amir Abdollahian pranoi se Irani i kishte dërguar dronë Rusisë, por tha se kjo kishte ndodhur para luftës.
Top Channel