“Asnjë anije nuk ka raportuar për ndonjë incident gjatë fundjavës”, tha ai.
“Korridori është vetëm një vijë në hartë: Kur anijet e nismës nuk janë në zonë, korridori nuk ka status të posaçëm. Nuk ofron as mbrojtje për veprimet ofensive apo mbrojtëse të ushtrive”, shtoi ai.
Moska të dielën u tërhoq nga marrëveshja për drithërat – që u ndërmjetësua nga OKB-ja – pasi flota e saj në Detin e Zi, u sulmua me dronë.
“Dronët po lëvizinin në zonën e sigurt të ‘korridorit të drithërave’”, tha Ministria ruse e Mbrojtjes.
Një prej dronëve u lëshua “nga bordi i një anije civile e Ukrainës apo e shteteve perëndimore, që përdoret për eksportin e produkteve bujqësore nga portet e Ukrainës”, pretendoi Rusia.
Pavarësisht tërheqjes së Moskës nga marrëveshja, anijet me ngarkesa me drithëra dhe produkte të tjera bujqësore janë larguar nga portet ukrainase të hënën me mbështetjen e OKB-së dhe Turqisë.
Kremlini tha se është “e rrezikshme” që marrëveshja të zbatohet pa përfshirjen e tij.